JURISPRUDENCA E GJYKATËS EVROPIANE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT (GJEDNJ)

Në këtë rubrikë publikohen vendime të përzgjedhura dhe përmbledhje analitike të jurisprudencës themelore (leading cases) të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), që lidhen me të drejtën për informim, transparencën, aksesin në dokumentet zyrtare dhe çështje të tjera me rëndësi për interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë.

Publikimi synon të lehtësojë njohjen dhe zbatimin e standardeve evropiane nga autoritetet publike, koordinatorët për të drejtën e informimit, gjyqtarët, juristët, studiuesit, qytetarët dhe palët e tjera të interesuara, si dhe të shërbejë si burim reference në praktikë.

Për tekstin autentik dhe të plotë të vendimeve, përdoruesit mund t’i referohen bazës zyrtare të jurisprudencës së GJEDNJ-së (HUDOC).

Magyar Helsinki Bizottság kundër Hungarisë

Gjykata: Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Dhoma e Madhe)

Nr. i kërkesës: 18030/11

Data e vendimit: 8 nëntor 2016

1. Faktet

Organizata joqeveritare Magyar Helsinki Bizottság zhvillonte një studim mbi funksionimin e sistemit të mbrojtjes juridike falas në Hungari. Në këtë kuadër, ajo kërkoi nga disa drejtori policie informacion mbi emrat e avokatëve të caktuar kryesisht (ex officio defence counsel) dhe numrin e rasteve në të cilat secili prej tyre ishte emëruar.

Autoritetet refuzuan dhënien e informacionit, me argumentin se bëhej fjalë për të dhëna personale. Edhe gjykatat kombëtare konfirmuan refuzimin. Pas shterimit të mjeteve juridike në nivel kombëtar, organizata paraqiti kërkesë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

2. Çështja juridike

A përfshin neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut edhe të drejtën për akses në informacionin e mbajtur nga autoritetet publike, kur ky informacion është i nevojshëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe informimit?

3. Vendimi i Gjykatës

Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së konstatoi, me shumicë votash, se kishte shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata vlerësoi se, në rrethanat konkrete, refuzimi i aksesit përbënte ndërhyrje në të drejtën për të marrë dhe përhapur informacion me interes publik dhe se autoritetet nuk kishin provuar se kufizimi ishte i nevojshëm në një shoqëri demokratike.

4. Parimet kryesore

a. Neni 10 i Konventës mund të mbrojë të drejtën për akses në informacionin publik në rrethana të caktuara.

b. Refuzimi i aksesit mund të përbëjë ndërhyrje në lirinë e shprehjes.

c. Për të vlerësuar nëse neni 10 zbatohet, Gjykata identifikoi katër kritere:

  • qëllimin e kërkesës;
  • interesin publik të informacionit;
  • rolin e kërkuesit si public watchdog;
  • disponueshmërinë e informacionit pranë autoritetit publik.

ç. Çdo kufizim i së drejtës duhet të jetë proporcional dhe i justifikuar.

5. Standardi i vendosur nga GJEDNJ

Ky vendim konfirmon se, në rrethana të caktuara, e drejta për akses në informacionin e mbajtur nga autoritetet publike mbrohet nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

6. Rëndësia për Shqipërinë

Ky vendim është jurisprudenca udhëheqëse (leading case) e GJEDNJ-së në fushën e së drejtës për informim. Standardet e zhvilluara prej tij përbëjnë një pikë referimi për interpretimin dhe zbatimin e Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe për veprimtarinë e Komisionerit, autoriteteve publike dhe gjykatave shqiptare.

7. Burimi zyrtar

Vendimi i plotë në bazën HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut https://hudoc.echr.coe.int

Gjykata: Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Nr. i kërkesës: 48135/06

Data e vendimit: 25 qershor 2013

1. Faktet

Organizata joqeveritare Youth Initiative for Human Rights kërkoi nga Agjencia Serbe e Inteligjencës (BIA) informacion mbi numrin e personave që i ishin nënshtruar përgjimeve elektronike gjatë vitit 2005.

Komisioneri serb për Informimin urdhëroi autoritetin publik të jepte informacionin e kërkuar. Megjithatë, Agjencia Serbe e Inteligjencës nuk e zbatoi vendimin, duke pretenduar se nuk e zotëronte informacionin. Pas shterimit të mjeteve juridike në nivel kombëtar, organizata paraqiti kërkesë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

2. Çështja juridike

A përbën refuzimi i autoriteteve publike për të zbatuar një vendim për dhënien e informacionit publik shkelje të së drejtës për të marrë informacion sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?

3. Vendimi i Gjykatës

Gjykata konstatoi njëzëri se kishte shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo vlerësoi se autoriteti publik kishte detyrim të zbatonte vendimin për dhënien e informacionit dhe se refuzimi i pajustifikuar cenoi të drejtën e organizatës për të marrë informacion me interes publik.

4. Parimet kryesore

a. Autoritetet publike duhet të zbatojnë efektivisht vendimet që urdhërojnë dhënien e informacionit.

b. Moszbatimi i një vendimi për akses në informacion mund të përbëjë shkelje të nenit 10.

c. Informacioni me interes publik duhet të jetë realisht i aksesueshëm.

ç. Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë veprimtarinë e shtetit gëzojnë mbrojtje si public watchdogs.

5. Standardi i vendosur nga GJEDNJ

E drejta për akses në informacion nuk garantohet vetëm me ekzistencën e një kuadri ligjor, por kërkon edhe zbatimin efektiv të vendimeve që urdhërojnë dhënien e informacionit. Moszbatimi nga autoritetet publike i vendimeve të autoritetit kompetent përbën cenim të së drejtës për të marrë informacion sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

6. Rëndësia për Shqipërinë

Ky vendim thekson se garantimi i së drejtës për informim nuk mjafton të parashikohet në legjislacion; autoritetet publike duhet të zbatojnë në praktikë vendimet që urdhërojnë dhënien e informacionit.

Standardet e vendosura nga GJEDNJ kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, veçanërisht në lidhje me detyrimin e autoriteteve publike për të respektuar dhe zbatuar vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

7. Burimi zyrtar

Vendimi i plotë në bazën HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut https://hudoc.echr.coe.int

Gjykata: Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Nr. i kërkesës: 31475/05

Data e vendimit: 26 maj 2009

1. Faktet

Historiani Gábor Kenedi kërkoi akses në dokumente arkivore të ish-shërbimit të sigurisë së shtetit për qëllime kërkimore.

Megjithëse gjykatat hungareze i njohën të drejtën e aksesit dhe urdhëruan autoritetet të vinin dokumentet në dispozicion, autoritetet shtetërore vonuan për një periudhë të gjatë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe nuk i dhanë akses efektiv në dokumentet e kërkuara.

Pas shterimit të mjeteve juridike në nivel kombëtar, kërkuesi iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

2. Çështja juridike

A përbën refuzimi ose vonesa e pajustifikuar në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, që urdhëron dhënien e aksesit në dokumentet arkivore me interes publik, shkelje të së drejtës për të marrë informacion sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?

3. Vendimi i Gjykatës

Gjykata konstatoi se kishte shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo theksoi se autoritetet publike nuk mund të pengojnë ose të vonojnë në mënyrë arbitrare aksesin në dokumente me interes publik, veçanërisht kur një gjykatë kombëtare ka urdhëruar dhënien e tyre. Moszbatimi i vendimeve gjyqësore cenon efektivitetin e së drejtës për të marrë informacion.

4. Parimet kryesore

a. Autoritetet publike duhet të respektojnë dhe zbatojnë vendimet gjyqësore që urdhërojnë dhënien e informacionit.

b. Vonesat e pajustifikuara mund të cenojnë efektivitetin e së drejtës për informim.

c. Aksesi në dokumente arkivore me interes publik gëzon mbrojtje sipas nenit 10, në rrethana të caktuara.

ç. E drejta për informim duhet të jetë praktike dhe efektive, jo vetëm teorike.

5. Standardi i vendosur nga GJEDNJ

E drejta për akses në informacion nuk realizohet vetëm përmes njohjes së saj me ligj ose me vendim gjyqësor. Autoritetet publike kanë detyrimin të sigurojnë zbatimin efektiv dhe në kohë të vendimeve që urdhërojnë dhënien e informacionit, pasi vonesat ose pengesat e pajustifikuara mund të përbëjnë shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

6. Rëndësia për Shqipërinë

Ky vendim nënvizon rëndësinë e zbatimit efektiv të vendimeve administrative dhe gjyqësore që lidhen me të drejtën për informim. Standardet e zhvilluara nga GJEDNJ janë veçanërisht të rëndësishme për zbatimin e Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, pasi theksojnë detyrimin e autoriteteve publike për të respektuar dhe zbatuar pa vonesa vendimet e Komisionerit dhe të gjykatave lidhur me dhënien e informacionit publik.

7. Burimi zyrtar

Vendimi i plotë në bazën HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut https://hudoc.echr.coe.int

Gjykata: Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Nr. i kërkesës: 37374/05

Data e vendimit: 14 prill 2009

1. Faktet

Organizata joqeveritare Társaság a Szabadságjogokért (Hungarian Civil Liberties Union) kërkoi akses në një ankesë kushtetuese të depozituar nga një deputet pranë Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë. Qëllimi ishte informimi i publikut mbi një çështje me interes të lartë publik, që lidhej me politikën penale.

Gjykata Kushtetuese refuzoi dhënien e dokumentit pa pëlqimin e autorit të ankesës. Pas shterimit të mjeteve juridike në nivel kombëtar, organizata iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

2. Çështja juridike

A përbën refuzimi i aksesit në një dokument me interes publik, i mbajtur nga një autoritet publik, shkelje të së drejtës për të marrë informacion sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?

3. Vendimi i Gjykatës

Gjykata konstatoi se kishte shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo vlerësoi se organizata ushtronte funksionin e një “public watchdog”, të ngjashëm me atë të medias, dhe se refuzimi i aksesit pengonte pjesëmarrjen e informuar në debatin publik mbi një çështje me interes të përgjithshëm. Gjykata theksoi se autoritetet publike duhet të justifikojnë çdo kufizim të aksesit në informacion me argumente të mjaftueshme dhe proporcionale.

4. Parimet kryesore

a. Organizatat e shoqërisë civile mund të gëzojnë të njëjtin rol si media në informimin e publikut (public whatchdog).

b. Aksesi në dokumente me interes publik është një element thelbësor për ushtrimin efektiv të lirisë së shprehjes.

c. Autoritetet publike duhet të justifikojnë në mënyrë bindëse çdo kufizim të aksesit në informacion.

ç. Transparenca kontribuon në debatin publik dhe kontrollin demokratik të institucioneve.

5. Standardi i vendosur nga GJEDNJ

Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë veprimtarinë e autoriteteve publike gëzojnë mbrojtje si public watchdogs. Kur informacioni është i nevojshëm për pjesëmarrjen në debatin publik mbi çështje me interes të përgjithshëm, refuzimi i pajustifikuar i aksesit mund të përbëjë shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

6. Rëndësia për Shqipërinë

Ky vendim përbën një nga vendimet themelore të jurisprudencës së GJEDNJ-së mbi të drejtën për informim. Standardet e zhvilluara prej tij janë të rëndësishme për zbatimin e Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, pasi theksojnë rolin e organizatave të shoqërisë civile, medias dhe aktorëve të tjerë që ushtrojnë funksione mbikëqyrëse në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike. Vendimi përforcon parimin se informacioni me interes publik duhet të jetë i aksesueshëm, përveç rasteve kur kufizimi është i parashikuar me ligj, ndjek një qëllim legjitim dhe është proporcional.

7. Burimi zyrtar

Vendimi i plotë në bazën HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut
https://hudoc.echr.coe.int

Kjo rubrikë përmbledh jurisprudencën themelore (leading cases) të GJEDNJ-së në fushën e të drejtës për informim. Ajo do të përditësohet periodikisht me vendime të reja që zhvillojnë ose konsolidojnë standardet evropiane në këtë fushë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë