3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Forumi Evropian i Qeverisjes së të Dhënave

Në datën 8 dhjetor 2014 u organizua në Paris, në selinë e UNESCO-s, Forumi Evropian i Qeverisjes së të Dhënave “Mbrojtja e të dhënave personale, inovacion dhe mbikëqyrje: Cili është kuadri etik për Evropën?”.

Në Forumin e organizuar nga Grupi i Autoriteteve Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Art. 29 WP), së bashku me Autoritetin Francez (CNIL), ku mori pjesë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, u diskutua gjerësisht për një nga çështjet më të ngutshme të kohës sonë digjitale, qeverisjen e të dhënave personale. Në tryezat e rrumbullakëta në të cilat u mblodhën Autoritetet Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe ekspertë të fushës, u shkëmbyen mendime mbi mënyrat e pajtimit të shpejtësisë së ndryshimeve të teknologjisë së inovacionit me domosdoshmërinë e mbrojtjes së të dhënave personale, duke ngritur kapacitetet e aktorëve publikë dhe privatë në një kuadër veprimi etik.

Konferencën e përshëndeti dhe Kryeministri Francez, z. Manuel Valls, i cili në fjalën e tij vuri theksin mbi disa çështje të ndjeshme, sikundër përforcimi i të drejtës së harresës, të drejtës për portabilitetin e të dhënave si dhe transparencës më të madhe të mbledhjes së të dhënave nga ana e autoriteteve publike.

Në përfundim të Konferencës, Autoritetet Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale miratuan Deklaratën e Përbashkët. Nëpërmjet kësaj deklarate, autoritetet e BE-së dëshirojnë të riafirmojnë vlerat e përbashkëta evropiane dhe të propozojnë veprime konkrete për të zhvilluar një kuadër etik evropian.

Këtu mund të lexoni të plotë  Deklaratën e Përbashkët të Autoriteteve Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale