Më datë 9 dhe 10 Shkurt 2015 zyra e Komisionerit zhvilloi një vizitë studimore pranë autoritetit homolog italian “Garante per la protezione dei dati personali”. Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i eksperiencës kryesisht në lidhje me procedurat e hetimit administrativ por edhe për çështje të tjera të rëndësishme lidhur me veprimtarinë e Autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave personale.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Besnik Dervishi u prit në një takim të përzemërt nga homologu i tij Antonello Soro. Komisioneri Dervishi e informoi homologun Italian mbi aktivitetin që ka zhvilluar Autoriteti Shqiptar i Mbrojtjes se të Dhënave Personale dhe shprehu vullnetin e tij për të çuar në një nivel më të lartë këtë bashkëpunim midis dy autoriteteve në kuadër të arritjes së objektivave të përbashkëta.
Në përfundim të takimit, dy Komisionerët nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është nxitja e bashkëpunimit për shkëmbim të vazhdueshëm të eksperiencës në kryerjen e inspektimeve/mbikëqyrjeve të përbashkëta në kontrollues/kompani Italiane që ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe përpunojnë të dhëna personale.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Komisionerit zhvilluan edhe takime të tjera të nivelit teknik në të cilat u diskutua mbi inspektimet administrative të ushtruara në kompani call center dhe në kontrollues të cilët përpunojnë të dhëna në mënyrë elektronike apo për qëllime marketingu.
Një takim i veçantë u zhvillua me Njësinë Speciale për Mbrojtjen e Privatësisë pranë Guardia di Finanza. Në këtë takim delegacioni i Komisionerit u njoh nga afër me veprimtarinë inspektuese të këtij institucioni në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale.