3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

E drejta për Informim, Autoritetet Publike, Koordinatori dhe Programet e Transparencës

Sot më datë 17 mars 2015, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale së bashku me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” zhvilluan një takim me rreth 200 përfaqësues të institucioneve shtetërore qendrore dhe të varësisë, për t’i trajnuar në lidhje me detyrimet e parashikuara në ligjin “Për të drejtën e informimit”.

Z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit” në kuadër të transparencës së administratës publike me qytetarët. Komisioneri u rikujtoi të gjithë përfaqësuesve të Autoriteteve Publike se edhe pse kanë kaluar disa muaj nga miratimi i ligjit, shumë prej detyrimeve të përcaktuara në të akoma mbeten të pazbatuara. “Deri më tani, nuk kemi vendosur sanksione administrative edhe pse ligji na detyron, por ne jemi nisur nga parimi se qëllimi i ligjit nuk është vendosja e sanksionit, por zbatimi i tij. Deri më sot kjo është mbajtur si përgjegjësi nga Komisioneri, por nga nesër do ta ndajmë së bashku”.

Z. Andi Dobrushi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, nënvizoi dhe një herë rëndësinë e miratimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Në këtë aktivitet u prezantuan të gjitha risitë që ka sjellë ky ligj, si dhe u paraqitën raste konkrete të shqyrtuara nga Zyra e Komisionerit. Aktiviteti u ndoq nga një seancë diskutimesh ku pjesëmarrësit i drejtuan pyetje të shumta panelit në lidhje me situata konkrete të kërkesës për informacion në institucionet përkatëse.

Fjala e plotë e z. Besnik Dervishi