Projektstrategjia Institucionale 2026-2030 në konsultim publik: vizioni dhe prioritetet për 5 vitet e ardhshme

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale paraqet për konsultim publik Projektstrategjinë Institucionale 2026-2030, një dokument që përcakton vizionin, prioritetet dhe drejtimet strategjike të institucionit për pesë vitet e ardhshme.

Projektstrategjia pasqyron sfidat dhe zhvillimet që shoqërojnë veprimtarinë e institucionit, veçanërisht transformimin digjital, procesin e integrimit evropian dhe zgjerimin e kompetencave të Komisionerit. Dokumenti synon të orientojë zhvillimin e mëtejshëm të institucionit si një autoritet i pavarur, efektiv, proaktiv dhe të besueshëm, në përmbushje të mandatit të tij për garantimin e së drejtës për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë kuadër, ajo përcakton prioritetet për promovimin e transparencës përmes të dhënave të hapura dhe konsultimit publik, forcimin e zbatimit të mandatit në fushën e transparencës së veprimtarisë së lobimit, si dhe rritjen e efektivitetit institucional dhe zhvillimin e kapaciteteve organizative.

Prioritetet strategjike shoqërohen me masa konkrete dhe tregues performance, të përcaktuar në Projektstrategji dhe në Planin e Veprimit 2026-2027. Zbatimi i tyre do të ndiqet përmes mekanizmave të monitorimit, raportimit periodik dhe vlerësimit të rezultateve.

Në kuadër të procesit të konsultimit publik, Zyra e Komisionerit fton institucionet publike, sektorin privat, organizatat e shoqërisë civile, median, akademinë, ekspertët, qytetarët dhe të gjithë aktorët e interesuar të njihen me Projektstrategjinë përmes kësaj lidhjeje: “Strategjia e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale 2026 – 2030” dhe të japin komentet dhe sugjerimet e tyre.

Konsultimi publik do të jetë i hapur nga data 8 deri më 18 shtator 2026, periudhë gjatë secilës mund të dërgohen në adresën elektronike info@idp.al komentet dhe sugjerimet.

Pjesëmarrja dhe kontributi i palëve të interesuara janë të rëndësishme për finalizimin e një dokumenti strategjik gjithëpërfshirës, të zbatueshëm dhe të orientuar drejt forcimit të transparencës, integritetit, llogaridhënies dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të qytetarëve.

 

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë