Si mund të mbrohen të dhënat e fëmijëve kur inteligjenca artificiale përdoret në shkollë? Çfarë roli duhet të ketë mbikëqyrja njerëzore kur këto sisteme marrin vendime që prekin individët? Këto ishin dy nga çështjet që bashkuan autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale në Konferencën e 48-të vjetore të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA) në Bruksel, ku mori pjesë edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale z. Besnik Dervishi.

Në sesionin e mbyllur të 16 dhe 17 nëntorit, anëtarët shqyrtuan punën e grupeve të Asamblesë dhe miratuan Planin Strategjik 2027-2030. Për katër vitet e ardhshme, Asambleja do të përqendrohet te bashkëpunimi ndërkufitar, shkëmbimi i ekspertizës dhe forcimi i kapaciteteve të autoriteteve për të përballuar sfida të përbashkëta. Në sesion mbajti një fjalë edhe Michael McGrath, Komisioneri Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit.

Dy nga pesë rezolutat e miratuara iu kushtuan inteligjencës artificiale. E para thekson rëndësinë e mbikëqyrjes njerëzore kur agjentët e inteligjencës artificiale përpunojnë të dhëna personale dhe marrin vendime të automatizuara. E dyta u kërkon autoriteteve arsimore dhe ofruesve të teknologjisë të mbledhin vetëm të dhënat e nevojshme të fëmijëve, t’i përdorin për qëllime të përcaktuara dhe të marrin masa për sigurinë e tyre.
Asambleja miratoi edhe rezoluta për përdorimin e teknologjive që e integrojnë mbrojtjen e të dhënave që në projektimin e sistemeve dhe për shkëmbimin e përgjegjshëm të të dhënave në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Rezoluta e pestë parashikon krijimin e GPA Practice Hub, një projekt pilot dyvjeçar përmes të cilit autoritetet do të mund të ndajnë përvojën dhe mjetet që përdorin në punën e përditshme.
Gjatë sesionit, Asambleja mirëpriti pesë anëtarë të rinj dhe shtatë vëzhgues. Në Komitetin Ekzekutiv u përfaqësuan rishtazi autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale të Italisë dhe Luksemburgut. U njoftua gjithashtu se konferenca e ardhshme do të mbahet në vitin 2027 në Nairobi, Kenia.
Më 18 dhe 19 nëntor, konferenca vijoi me programin e hapur të GPA-së, në kuadër të Kongresit Evropian të IAPP-së. Panelet trajtuan mënyrën se si mund të mbrohen fëmijët në platformat dhe shërbimet digjitale që përdorin inteligjencë artificiale, përgjegjësinë e organizatave që i zhvillojnë dhe i përdorin këto sisteme, si dhe rolin e teknologjive që rrisin privatësinë në ruajtjen e kontrollit mbi të dhënat.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Çmimi Giovanni Buttarelli iu dha Immaculate Kassait, Komisioneres së parë për Mbrojtjen e të Dhënave në Kenia, për kontributin e saj në ngritjen e autoritetit dhe zhvillimin e mbrojtjes së të dhënave personale në vend. Ky çmim mban emrin e ish-Mbikëqyrësit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave dhe vlerëson kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.