Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi trajnimin e parë të ciklit për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues (TND). Trajnimi u zhvillua pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Ministrisë dhe të institucioneve të saj të varësisë.
Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e përgjithshme për të Drejtën e Informimit, znj. Rovena Sulstarova, theksoi përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve publike për garantimin e transparencës, të së drejtës për informim dhe të mbrojtjes së të dhënave personale. Ajo e cilësoi transparencën si pjesë të kulturës së drejtimit institucional dhe nënvizoi rëndësinë që ajo t’u shërbejë qytetarëve duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, z. Enea Hoti, vlerësoi rëndësinë e trajnimit për forcimin e kapaciteteve institucionale në zbatimin e së drejtës për informim. Ai bëri të ditur se Ministria e ka ngritur në nivel drejtori përfaqësimin e koordinatorit për të drejtën e informimit dhe se, në vijim të trajnimit, do të ngrejë një grup pune me përfaqësues nga drejtori të ndryshme. Grupi do të punojë për të përmirësuar bashkërendimin e brendshëm dhe për të siguruar dhënien dhe publikimin në kohë të informacionit.
Programi u përqendrua te përgjegjësitë e drejtuesve për zbatimin e legjislacionit në të tri fushat. Përmes prezantimeve dhe diskutimit të rasteve praktike në grup, pjesëmarrësit trajtuan mënyrën si organizohet puna për t’iu përgjigjur në afat kërkesave për informacion, si vlerësohen kërkesat për dokumente që përmbajnë të dhëna personale dhe si identifikohen të dhënat që mund të publikohen për ripërdorim.
Pjerina Gaxha, drejtoreshë e përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, prezantoi kërkesat e ligjit nr. 124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke u ndalur te bazat ligjore të përpunimit, të drejtat e individëve, masat e sigurisë dhe roli i nëpunësit për mbrojtjen e të dhënave personale. Nëpërmjet rasteve praktike u trajtua edhe ndërthurja e së drejtës së informimit me mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë mundësinë e dhënies së aksesit të pjesshëm kur dokumenti i kërkuar përmban të dhëna personale.
Roland Stafa, drejtor i Drejtorisë së Vlerësimit të Ankesave në Drejtorinë e Përgjithshme të së Drejtës së Informimit, trajtoi të drejtën e informimit dhe të dhënat e hapura. Ai prezantoi standardet e Konventës së Tromso për aksesin në dokumentet zyrtare dhe ndryshimet në ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit”, me vëmendje te trajtimi i kërkesave, respektimi i afateve ligjore dhe publikimi proaktiv i informacionit. Në lidhje me ligjin nr. 33/2022, ai u ndal te identifikimi dhe publikimi i të dhënave në formate të hapura, si dhe te trajtimi i kërkesave për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik. Diskutimi vuri në dukje rolin e drejtuesve në përcaktimin e përgjegjësive dhe në bashkërendimin e strukturave që prodhojnë, administrojnë dhe publikojnë informacionin.