Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi më 6 nëntor 2026, në kuadër të Panairit të 32-të Ndërkombëtar të Tiranës, panelin “Lobimi dhe biznesi: Përfaqësimi transparent i interesave në vendimmarrjen publike”.
Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 12/2026 “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë” dhe miratimin e akteve nënligjore, paneli krijoi një hapësirë bashkëbisedimi ndërmjet institucioneve publike, dhomave të tregtisë dhe shoqërisë civile për rregullat e reja të lobimit dhe zbatimin e tyre në praktikë.
Rovena Sulstarova, Drejtore e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit në Zyrën e Komisionerit, trajtoi detyrimet e transparencës, regjistrimin e veprimtarisë së lobimit dhe rolin mbikëqyrës të Komisionerit.
Silvana Ramadani, këshilltare në Ministrinë për Administratën Publike, foli për integritetin në vendimmarrjen publike dhe rëndësinë e dialogut me biznesin.
Ardita Seknaj, Sekretare e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri, dhe Albana Karapanço, Kryetare e Komitetit Ligjor, Rregullator dhe të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Dhomën Amerikane të Tregtisë, sollën këndvështrimin e biznesit për përfaqësimin transparent të interesave pranë institucioneve.
Redi Ametllari, hulumtues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, trajtoi rolin e shoqërisë civile në advokimin për interesin publik dhe në transparencën e vendimmarrjes.
Panelistët vlerësuan rolin dhe punën e Zyrës së Komisionerit për njohjen me kuadrin e ri ligjor për lobimin. Bashkëbisedimi, i moderuar nga Joniada Koçi, këshilltare për median në Kabinetin e Komisionerit, vijoi me pyetje dhe diskutime me pjesëmarrësit.

Zyra e Komisionerit mori pjesë edhe në panelin “Inteligjenca artificiale për rritjen e biznesit”, në kuadër të Forumit të Biznesit dhe Industrisë, e përfaqësuar nga Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit të Komisionerit. Në diskutim, ajo trajtoi mbrojtjen e të dhënave personale gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale nga bizneset, mbikëqyrjen njerëzore të vendimeve të mbështetura në këto mjete dhe rëndësinë e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave.
