Garantimi i aksesit në informacion dhe transparenca e institucioneve publike ishin në fokus të kontributit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në workshopin kombëtar për forcimin e pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen mjedisore, të zhvilluar më 23 tetor 2026, në Tiranë.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Konvergjenca e Drejtësisë Klimatike dhe Mjedisore në Ballkanin Perëndimor”, i mbështetur nga Agjencia Franceze për Zhvillim dhe i zbatuar nga Expertise France. Përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, institucioneve mbikëqyrëse, shoqërisë civile dhe ekspertë diskutuan mbi pengesat që kufizojnë përfshirjen e qytetarëve dhe mekanizmat për përmirësimin e konsultimeve publike.
Zyra e Komisionerit u përfaqësua nga znj. Rovena Sulstarova, Drejtore e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, e cila mori pjesë në panelin mbi identifikimin e pengesave dhe përcaktimin e përgjegjësive institucionale. Në diskutimin e saj, ajo trajtoi kompetencat e Zyrës së Komisionerit në zbatim të ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit”, me fokus te detyrimet për transparencë proaktive dhe rëndësia e Programit të Transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore në informimin e publikut mbi proceset e konsultimit dhe vendimmarrjen institucionale.
Në këtë kontekst, znj. Sulstarova theksoi se transparenca nuk duhet të kufizohet vetëm te publikimi i njoftimeve për konsultim, por duhet të përfshijë edhe informacionin mbi rezultatet e konsultimeve dhe mënyrën se si janë trajtuar propozimet e qytetarëve. Publiku duhet të ketë mundësi të kuptojë jo vetëm se cilat vendime janë marrë, por edhe se si kontributet e tij janë vlerësuar dhe reflektuar në procesin e vendimmarrjes.

Në qendër të takimit ishte diskutimi i projektudhërrëfyesit për Llogaridhënien dhe Mekanizmat e Reagimit 2026–2030, i mbështetur në vlerësimet e projektit pilot të Bashkisë Elbasan. Ky document synon të forcojë transparencën dhe llogaridhënien në qeverisjen mjedisore, përmes përmirësimit të praktikave të konsultimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë kuadër, Programet e Transparencës dhe Indeksi i Transparencës Proaktive përfshihen në projektudhërrëfyes si instrumente referimi për vlerësimin e transparencës dhe aksesit në informacion. Vëmendje i kushtohet publikimit në kohë të dokumenteve të konsultimit dhe përmirësimit të cilësisë e aksesueshmërisë së informacionit, në funksion të pjesëmarrjes së informuar të publikut. Dokumenti propozon gjithashtu mjete për planifikimin e konsultimeve, dokumentimin dhe trajtimin e komenteve, si dhe publikimin e rezultateve. Qëllimi është që qytetarët të informohen qartë se si janë marrë në konsideratë kontributet e tyre dhe përse propozime të caktuara janë pranuar ose jo në vendimet përfundimtare.
Këto masa synojnë të forcojnë lidhjen ndërmjet informimit, pjesëmarrjes dhe llogaridhënies në çështjet mjedisore, në përputhje me parimet e Konventës së Aarhusit dhe prioritetet e integrimit evropian të Shqipërisë.