Dita e Kërkimit Parlamentar 2026, Komisioneri Dervishi: Një Kuvend i hapur vlerësohet nga mundësia që u krijon qytetarëve për të kuptuar vendimarrjen

Kur një komision parlamentar rekomandon përmirësimin e një shërbimi publik, qytetarët duhet të kenë mundësi të shohin se çfarë masash mori institucioni përgjegjës dhe çfarë ndryshoi në praktikë. Me këtë shembull, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, theksoi rëndësinë e të drejtës së informimit dhe transparencës, në aktivitetin e Ditës së Kërkimit Parlamentar 2026, të zhvilluar më 26 nëntor në Kuvendin e Shqipërisë.

Komisioneri ishte një nga folësit kryesorë në panelin me temë “Parlamenti i hapur dhe forcimi i mbikëqyrjes parlamentare”. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se e drejta e informimit u mundëson qytetarëve të kuptojnë si merren vendimet, si të ndjekin proceset që ndikojnë në jetën e tyre dhe të shohin si Kuvendi ushtron kontrollin mbi institucionet publike. Për këtë, informacioni duhet të jetë i plotë, i saktë, i përditësuar dhe i lehtë për t’u gjetur e për t’u kuptuar.

Dervishi vuri në dukje edhe rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, përtej shqyrtimit të raporteve vjetore. Ai solli në vëmendje përvojën e Zyrës së Komisionerit, ku shqyrtimi i ankesave dhe monitorimi i zbatimit të legjislacionit nxjerrin në pah problematika që kërkojnë përmirësime në praktikat e administratës publike. Ndjekja e rekomandimeve dhe vlerësimi i masave të marra, theksoi ai, i japin Kuvendit një bazë më të qartë për të vlerësuar rezultatet e mbikëqyrjes.
Duke u ndalur te digjitalizimi i veprimtarisë parlamentare, Komisioneri vlerësoi se publikimi i dokumenteve në formate të përdorshme mund ta bëjë më të lehtë ndjekjen e vendimmarrjes dhe të zbatimit të rekomandimeve. Ai theksoi se përdorimi i teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, kërkon vëmendje ndaj saktësisë së informacionit, sigurisë së sistemeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Ky aktivitet u çel nga Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Evis Kushi, me një fjalë mirëseardhjeje. Në hapje përshëndetën gjithashtu Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri,  znj. Siri Walt, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Genci Gjonçaj, dhe Drejtoresha e Lartë Vendore e NDI Albania,  znj. Ana Kovacevic Kadovic.
Dita e Kërkimit Parlamentar 2026 u organizua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Instituti Parlamentar, në kuadër të projektit “Mbështetja për Kuvendin dhe Edukimin Qytetar” të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë