Search

Vizitë studimore në Republikën Çeke

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një vizitë studimore në Autoritetin homolog të Republikës Çeke, në datat 28 dhe 29 maj, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të instrumentit TAIEX të Bashkimit Evropian.

Gjatë këtij aktiviteti përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit u njohën gjerësisht me bazën ligjore mbi të cilën funksionon Autoriteti çek dhe strukturën e tij organizative. Po ashtu, në këtë vizitë studimore u trajtuan edhe tema me interes për raste praktike në aspektin e përmirësimit të mëtejshëm legjislativ dhe procesin që ndiqet në Çeki në këtë drejtim, aksesin në informacion, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale nga organet e masmedias dhe transferimin ndërkombëtar të të dhënave nga subjekte të caktuara.

Përfaqësuesit e të dy institucioneve tona e vlerësuan si mjaft të rëndësishme këtë vizitë studimore. Njëkohësisht, ata ranë dakord që Autoritetet të vijojnë bashkëpunimin e frytshëm mes tyre, si dhe të eksplorojnë në terma konkretë mundësinë e unifikimit të praktikave e standardeve më të larta në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.