Takimi i 27-të i Punës të Rasteve të Veçanta – Case Handling Workshop

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizon në datat 28 dhe 29 shtator 2015, në Hotel Tirana International, “Takimin e 27-të të Punës të Rasteve të Veçanta”, i njohur ndryshe si “Case Handling Workshop”.

Në këtë aktivitet, më i rëndësishmi i këtij formati e që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, marrin pjesë përfaqësues nga mbi 25 Autoritete homologe të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, anëtare të Konferencës Evropiane. Të pranishmit në këtë takim, përgjatë dy ditëve të zhvillimit të punimeve të tij, diskutojnë dhe ndajnë eksperiencat më të mira në nivel teknik në këtë fushë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vlerësoi garancitë që jep Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrotjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Ndërsa, theksoi nga ana tjetër, se ndërgjegjësimi i qytetarëve për respektimin e të drejtave të tyre dhe veçanërisht, për privatësinë, mbetet për t’u përmirësuar. Z. Dervishi, në fjalën e tij tha gjithashtu, se për të ecur me të njëjtin zhvillim dinamik me teknologjitë e informacionit, Zyra e Komisionerit po identifikon mundësinë e përmirësimit të ligjit në fuqi, për të ndjekur të njëjtën filozofi si edhe të vendeve me praktika të avancuara e me standarde të larta në mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.

 

Për të përshëndetur punimet e këtij takimi, të pranishme ishin znj. Milena Harito, ministër Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, dhe z. Miklovan Kopani, përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë. Ato vlerësuan punën e deritanishme dhe bashkëpunimin në nivelin më të lartë mes Zyrës së Komisionerit dhe institucioneve që përfaqësojnë. Ushtrimi i të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe mbrojtja e tyre me standarde e praktika sa më të larta ligjore është jo vetëm detyrim institucional, por edhe një kontribut për demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë sonë, në rrugën e saj të integrimit evropian.

Pjesë e agjendës së këtij takimi nuk janë vetëm prezantimet e punës së Autoriteteve homologe të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, por edhe nga kontrollues publikë, si dhe privatë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë, duke sjellë eksperiencat e tyre më pozitive në këtë drejtim.

Zyra e Komisionerit shqiptar u përzgjodh më herët gjatë këtij viti, me mbështetjen e fuqishme të Zyrës së Komisionerit të Informimit të Mbretërisë së Bashkuar (ICO), për të organizuar aktivitetin “XXVII Case Handling Workshop”. Ky është një vlerësim për aktivitetin gjithnjë në rritje të institucionit tonë edhe në arenën ndërkombëtare, me qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit.

“Case Handling Workshop” është një forum ku trajtohen praktikat më të mira të mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë. Workshop-i është krijuar si një nën-grup i Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave. Shkëmbimi i informacioneve mbi çështje praktike dhe promovimi i kontakteve mes Autoriteteve janë vetëm disa nga qëllimet kryesore të këtij workshop-i. Dokumentet të cilët trajtohen në këtë aktivitet, do të përpunohen në formën e një manuali dhe do të prezantohen nga autoriteti shqiptar gjatë punimeve të Konferencës Evropiane.

Fjala e Komisionerit

Përshëndetja e znj.  Milena Harito

Përshëndetja e z. Miklovan Kopani