Komiteti i Planifikimit për Konferencën 2026 të ICIC zhvilloi online takimin e tij të tretë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përgatitjet për këtë ngjarje ndërkombëtare. Takimi u moderua nga Zyra e Komisionerit, në bashkëpunim me Komisionerin Shaw nga Sierra Leone.
Në cilësinë e organizatorit, Komisioneri Shaw prezantoi një sërë tematikash të propozuara për t’u trajtuar në panele gjatë konferencës. Anëtarët e Komitetit kontribuuan me diskutime dhe sugjerime konkrete, me fokus të veçantë në përcaktimin e temës kryesore që do të udhëheqë punimet e ICIC 2026.
Përfaqësues të UNESCO nënvizuan se programi i ditës së parë do t’i dedikohet Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim. Ceremonia e hapjes do të organizohet në mënyrë të përbashkët nga ICIC dhe IDUAI 2026, duke theksuar frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Konferenca pritet të zhvillohet përgjatë dy ditëve me sesione plenare dhe paralele, ndërsa është në shqyrtim mundësia e organizimit të aktiviteteve shtesë edhe në ditën e tretë, me qëllim zgjerimin e hapësirës për dialog dhe shkëmbim përvojash.
Në ditët në vijim do të bëhet njoftimi dhe shpallja zyrtare e datave të konferencës për të gjithë komunitetin e ICIC.
Takimi i radhës i Komitetit është planifikuar të mbahet në javën e tretë të muajit mars.