3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Takim me ekspertë të KiE për mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin e drejtësisë

Në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u zhvillua një takim me ekspertët e Këshillit të Evropës, znj. Tea Jaliashvili, z. Graham Sutton dhe znj. Sylvie Lausy, përfaqësues të projektit të përbashkët BE/KiE – “Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë – SEJ”. Ky projekt fokusohet në zhvillimin e sistemit tonë të drejtësisë, ku një nga aspektet kryesore është mbrojtja e të dhënave personale dhe veçanërisht, anonimizimi i të dhënave para publikimit të vendimeve gjyqësore në portalin gjykata.gov.al.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, e cilësoi si mjaft të rëndësishme ruajtjen e balancës mes rritjes së transparencës nga sistemi gjyqësor, duke nxitur në këtë mënyrë ushtrimin e të drejtës për informim, dhe nga ana tjetër, zbatimin me korrektësi të dispozitave të ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Duke e vlerësuar si pozitiv bashkëpunimin e deritanishëm të Zyrës së Komisionerit me Ministrinë e Drejtësisë, z. Dervishi theksoi, se në të ardhmen duhen marrë në konsideratë disa elementë për të përmbushur më mirë pritshmëritë e projektit në fjalë. Sipas Komisionerit mes tyre duhet të përfshihen: trajnimin e sistemit gjyqësor, për aspektin e mbrojtjes së të dhënave personale; zhvillimin e vizitave studimore të përbashkëta në vende me praktikë të konsoliduar në këtë drejtim dhe hartimin e manualit për procedurat e mbrojtjes së të dhënave në sistemin gjyqësor.