Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes KDIMDP, QKR dhe QKL

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nënshkroi dy marrëveshje bashkëpunimi, respektivisht me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe me Qendrën Kombëtare të Liçencimit. Marrëveshjet u firmosën nga titullarët e institucioneve përkatëse, Komisioneri z. Besnik Dervishi dhe Drejtorët e Përgjithshëm të QKR, znj. Vasilika Vjero dhe të QKL, z. Ardian Maçi.

Z. Dervishi theksoi se këto marrëveshje, për herë të parë në këtë format mes institucioneve tona, janë instrumente nga më të domosdoshmet për të ndërgjegjësuar subjektet tregtare për detyrimin e tyre në zbatimin e dispozitave ligjore në procesin e grumbullimit, përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave personale të qytetarëve. Paralelisht, Komisioneri nxit fuqimisht publikun në ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për informim. Znj. Vjero dhe z. Maçi, nga ana e tyre, vlerësuan se bashkëpunimi institucional me Zyrën e Komisionerit, përveçse intensiv, do të jetë një kontribut i qënësishëm në modernizimin e vazhdueshëm të shërbimeve si për qytetarët, ashtu edhe për subjektet tregtare.

Këto dokumenta përcaktojnë modalitete të qarta për koordinimin e punës mes zyrës së Komisionerit me QKR dhe QKL, në procesin e monitorimit të zbatimit të akteve ligjore në fushat respektive. Marrëveshjet përbëjnë një bazë solide në procesin e bashkëpunimit institucional, me qëllim fuqizimin e procesit të shkëmbimit të ndërsjellët të informacionit. Nëpërmjet përdorimit të bazës së të dhënave të këtyre dy institucioneve nga Zyra e Komisionerit, u jepet një ndihmë e drejtpërdrejtë të gjitha subjekteve tregtare për respektimin e kuadrit ligjor në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, që në nisje të aktivitetit të tyre, posaçërisht, me përmbushjen e detyrimit për plotësimin e formularit të njoftimit dhe regjistrimin në regjistrin elektronik.

Nga ana tjetër, marrëveshjet parashikojnë asistencë konkrete dhe të vazhdueshme për konsolidimin e programit të transparencës dhe fuqizimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit pranë QKR dhe QKL, në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 119/2014. Zyra e Komisionerit e vlerëson si mjaft të rëndësishme rritjen e transparencës së punës nga këto dy institucione të rëndësishme të administratës shtetërore, pasi bashkëpunimi i strukturuar i punës mes Zyrës së Komisionerit dhe QKR e QKL, është gjithashtu, kontribut i drejtpërdrejtë në procesin e luftës kundër korrupsionit.

Marrëveshjet parashikonjnë, gjithashtu, koordinimin dhe bashkëpunimin e punës mes institucioneve tona edhe në aspekte të tilla si: shqyrtimin në mënyrë të ndërsjellët të propozimeve për përmirësime të akteve ligjore në fushat respektive; organizimin e përbashkët të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare që i shërbejnë zbatimit të kuadrit ligjor; zhvillimin e trajnimeve në vijjimësi, për rritjen e kapaciteteve administrative dhe adoptimin e praktikave më të mira; bashkërendimin e punës në hartimin dhe rishikimin e programeve të transparencës dhe kodeve të etikës; etj.