Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Shkodër

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, organizuan në Shkodër Konferencën Rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”, e treta në rradhë në këtë format, pas asaj në Korçë dhe në Vlorë.

Me riorganizimin e organeve të qeverisjes vendore nga zbatimi i reformës Administrativo-territoriale, ky aktivitet kishte për qëllim që të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e këtyre strukturave, si dhe atyre të institucioneve qendrore në nivel vendor, me përmbushjen e detyrimeve të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Në këtë Konferencë morën pjesë Prefekti i Shkodrës, z. Paulin Radovani, krerë dhe përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qendore në nivel vendor, nga shoqëria civile, media, etj.

Z. Besnik Dervishi, vlerësoi, në fjalën e tij përshëndetëse, se transparenca e Autoriteteve Publike, përveçse një detyrim ligjor, është një domosdoshmëri për një administratë moderne në shërbim të qytetarëve. “Nuk ka më dokumente zyrtare që mund të fshihen dhe nuk mund të ketë më zyrtarë që mund t’i fshihen përgjegjësisë – theksoi, gjithashtu, Komisioneri. Ky është një revolucion në punën dhe mentalitetin e trashëguar të administratës shtetërore. Transparenca është paradhoma e luftës kundër korrupsionit”.

Z. Dervishi, teksa bëri një panoramë të shkurtër të punës së Zyrës së Komisionerit që prej nëntorit të vitit të kaluar kur hyri në fuqi ligji Nr. 119/2014, nënvizoi si mjaft të rëndësishëm edhe procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për ushtrimin e kësaj të drejtë kushtetuese. Ndërsa, i ftoi ata që të jenë sa më aktivë në ushtrimin e kësaj të drejte në praktikë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Radovani, e cilësoi zhvillimin e kësaj Konferencë në kohën e duhur dhe me shumë interes për të gjithë pjesëmarrësit në të.

Zyra e Komisionerit mbajti në këtë aktivitet edhe një prezantim për të pranishmit, të cilët u njohën më në detaje me risitë e ligjit, funksionimin e Autoritetit, si dhe me disa raste praktike. Ky prezantim shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave nga organet e qeverisjes vendore, për hartimin në përputhje me detyrimet ligjore të programit të transparencës dhe fuqizimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit.