3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Komisioneri prezanton Raportin Vjetor 2015 në Kuvend

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, prezantoi sot Raportin Vjetor 2015 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij përpara anëtarëve të Komisionit, z. Dervishi, tha se prioritetet kryesore të punës së Zyrës së Komisionerit për vitin e kaluar ishin konsolidimi i kapaciteteve administrative për garantimin e të drejtës së informimit – një funksion ende i ri për Autoritetin dhe nxitjen e sektorit publik dhe atij privat për përpuethshmëri sa më të mirë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Veprimtaria e Zyrës së Komisionerit është fokusuar në monitorimin Programeve të Transparencës së Autoriteteve Publike, trajtimin e ankesave dhe kryerjen e hetimeve administrative në fushën e të drejtës për informim; monitorimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për grumbullimin, përpunimin ruajtjen dhe shkatërrimin e të dhënave personale nga subjektet e ndryshme publike dhe private; përmirësimin e kuadrit ligjor përmes dhënies së mendimeve për projekt-akte; konsolidimin e marrëdhënieve me publikun dhe me median në forcimin e kulturës së ndërgjegjësimit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e privatësisë dhe rritjen e bashkëpunimit me institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit për zbatimin e praktikave më të mira.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan pozitivisht punën e Zyrës së Komisionerit për vitin 2015 dhe votuan projekt-rezolutën, e cila së shpejti do t’i kalojë për miratim seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.