Konferenca e 2-të Kombëtare “Për të Drejtën e Informimit/pyetshtetin.al”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi sot, në bashkëpunim me Fonacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, Konferëncën e 2-të Kombëtare “Për të Drejtën e Informimit/pyetshtetin.al”. Në këtë aktivitet, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, atyre vendore dhe të sistemit të drejtësisë nga i gjithë vendi, u vlerësua zbatimi i deritanishëm i ligjit “Për të drejtën e informimit” nga Autoritetet Publike. Në Konferencë u prezantua portali “pyetshtetin.al”, platforma online që ka për qëllim t’u vijë në ndihmë qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit për të patur një akses më të madh në informacionin me karakter publik.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, mbajti një prezantim përmbledhës për monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, që prej hyrjes së tij në fuqi në nëntor të vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe më shumë se 18-mujore, Zyra e Komisionerit ka konsoliduar funksionimin e saj administrativ; ka mbikëqyrur përmbushjen e detyrimeve në hartimin e Programit të Transparencës nga Autoritetet Publike dhe në emërimin e koordinatorit për të drejtën e informimit; si dhe ka trajtuar rreth 500 ankesa të qytetarëve.

Z. Dervishi, theksoi gjatë fjalës së tij se “Zyra e Komisionerit ka reflektuar praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane në fushën e të drejtës për informim, ndërsa, vlerësoi, se është koha e duhur, nga përvoja e përfituar nga zbatimi i ligjit, që Autoritetet Publike të pasqyrojnë specifikat e sektorëve respektivë në Programet e tyre të Transparencës”. Gjithashtu, ai tha se stafi i Zyrës së Komisionerit ka trajnuar në disa aktivitete kombëtare dhe rajonale përfaqësuesit dhe koordinatorët e Autoriteteve Publike si qendrore, ashtu edhe ato vendore.

Punimet e Konferencës i përshëndetën të ftuarit e nderit znj. Valentina Leskaj, Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Milena Harito, ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike; z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe znj. Dewi van de Weerd, Ambasador i Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri.

Të ftuara të veçanta, ishin gjithashtu edhe znj. Rosemary Agnew, Komisioner i Skocisë për të Drejtën për Informim dhe znj. Anamarija Musa, Komisioner i Kroacisë për të Drejtën për Informim. Ato mbajtën prezantime për trajnimin e të pranishmëve me praktikat më të mira, si dhe me trajtimin e rasteve konkrete në këtë fushë nga vendet e tyre.

 

Zyra e Komisionerit dhe Fondacioni Soros kanë bashkëpunuar prej disa kohësh për ngritjen e portalit “pyetshtetin.al”. Kjo platformë u ofron qytetarëve dhe grupeve të interesit mundësi të shumta për ushtrimin e të drejtës së tyre për t’u informuar me dokumentat zyrtare. Në portal mund të konsultohet lehtësisht Programi i Transparencës dhe lista e koordinatorëve të Autoriteteve Publike, ndërsa në platformë është përfshirë edhe regjistri kombëtar i kërkesave për informim të regjistruara prej tyre.

Fjala e Komisionerit