Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale

“Kontekstet e reja të bashkëpunimit”

Zyra e Komisionerit mori pjesë në Konferencën Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Konferenca pranverore), e cila u zhvillua në datat 26 dhe 27 maj 2016, në Budapest të Hungarisë. Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të Autoriteteve Evropiane dhe më gjerë, ndërkohë, që nuk munguan me praninë e tyre edhe Europol, Agjencia e BE për të Drejtat Themelore, Zyra e Mbikëqyrësit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave, DG Justice – Drejtoria e Përgjithshme e Drejtësisë/Njësia e Mbrojtjes së të Dhënave pranë Komisionit Evropian, akademikë, agjenci të sigurisë, etj.

Konferenca gjatë punimeve të saj trajtoi disa tematika mjaft të rëndësishme, në kuadër të zhvillimeve të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, ku spikatën diskutimet në lidhje me hapat e ardhshëm që do të ndërmerren nga Autoritetet Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave, apo pritshmëritë e shteteve jo anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket modernizimit të Konventës 108 të Këshillit të Evropës.

Një temë tjetër mjaft e rëndësishme që u trajtua kishte të bënte me balancën midis mbrojtjes së të dhënave dhe mbledhjes e përpunimit të të dhënave personale të qytetarëve për qëllime të mbrojtjes së sigurisë publike dhe luftës kundër terrorizmit. Qasjet e ndryshme në lidhje me këtë të fundit, u përballën gjatë një sesioni ku merrnin pjesë përfaqësues të Europol, Shërbimeve Speciale për sigurinë kombëtare të Hungarisë, etj.

Anëtarët e akredituar të Konferencës Evropiane votuan dhe miratuan dy rezoluta:

1. Rezoluta mbi Qarkullimin Ndërkufitar të të Dhënave Personale;
2. Rezoluta mbi Kontekstet e Reja të Bashkëpunimit.

Zyra e Komisionerit u ftua nga Komiteti i Konferencës Evropiane të mbante një prezantim gjatë ditës së dytë të punimeve të saj, ku përfaqësuesi i Autoritetit bëri një panoramë të detajuar të organizimit të edicionit të 27-të të Takimit të Punës të Rasteve të Veçanta (Case Handling Workshop), i cili u zhvillua në shtator 2015, në Tiranë. Në këtë prezantim u paraqit edhe Handbook-u i hartuar nga Zyra e Komisionerit, që është publikuar edhe në faqen zyrtare të Komisionit Evropian (CIRCabc). Nga moderatorët e aktivitetit, u shpreh konsiderata për organizimin në nivel mjaft të lartë të CHW 2015 nga ana e Zyrës së Komisionerit.

Konferenca votoi, së fundmi, edhe për pranimin e Autoriteteve të Gjibraltarit, Armenisë, Kantonit të Bazel-Stadtit të Zvicrës, Monakos dhe Hungarisë, në rolin e anëtarëve të akredituar në Konferencën Evropiane, si edhe përcaktoi Autoritetin e Qipros si organizatorin e Konferencës së radhës në vitin 2017.

Prezantimi i Zyrës së Komisionerit.