3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Seancë dëgjimore për të drejtën e informimit me përfaqësues të institucioneve qendrore

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” zhvilloi seancë dëgjimore me përfaqësues të Kryeministrisë, ministrisë së Financave, ministrisë së Drejtësisë, ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Kjo seancë dëgjimore kishte si objekt të saj shqyrtimin e ankesës së Fonacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros ndaj këtyre autoriteteve publike “për refuzimin e dhënies së informacionit dhe kopjen e dokumentave zyrtare”, përsa i përket:

  • raportit vjetor të transparencës në procesin e vendimmarrjes për vitin 2015;
  • planin vjetor për vitin 2016 në lidhje me procesin e vendimmarrjes;
  • të dhënat e kontaktit të koordinatorit të njoftimit dhe konsultimit publik;
  • kopje të procesverbaleve dhe listë-prezencave të mbajtura në kuadër të takimeve publike të organizuara nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” deri në datën 29 shkurt 2016, për secilin prej akteve të shqyrtuara;
  • kopje të përmbledhjeve të hartuara për çdo akt që i është nënshtruar procedurës së njoftimit dhe konsultimit publik, që nga hyrja në fuqi e ligjit në fjalë deri në 29 shkurt 2016.

Në këtë seancë dëgjimore palët dhanë shpjegimet e tyre në lidhje me rastet konkrete dhe ndërkohë, konfirmuan përmbushjen e detyrimeve për dhënien e informacionit pas inspektimeve të kryera pranë tyre nga Zyra e Komisionerit. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z.Besnik Dervishi, në përputhje me procedurën e shqyrtimit të ankesës do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.