Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Gjirokastër

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në Gjirokastër konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Ky aktivitet i rëndësishëm vjen pas takimeve të ngjashme të zhvilluara në Korçë, Vlorë e Shkodër gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2015 dhe në Elbasan në mars të 2016.

Konferenca kishte për qëllim të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e strukturave të pushtetit vendor, si dhe atyre të institucioneve qendrore në nivel vendor, me detyrimet e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në përfundim të procesit të riorganizimit të organeve të vetëqeverisjes vendore nga zbatimi i reformës Administrativo-territoriale. Në këtë Konferencë ishin të ftuar z. Flamur Bime, Prefekti i Qarkut, drejtues dhe përfaqësues të njësive të tjera të qeverisjes vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qendore në nivel vendor, nga shoqëria civile, media, etj.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi faktin se rritja e transparencës nga Autoritetet Publike është domosdoshmëri për një administratë të përgjegjshme, moderne dhe efikase në shërbim të qytetarëve. Komisioneri, theksoi nga ana tjetër, se gjatë periudhës më shumë se 18-mujore që nga hyrja në fuqi e ligjit “Për të drejtën e informimit” institucioni ka reflektuar në punën e tij praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane. Z. Dervishi tha se tashmë ka ardhur koha që programet e transparencës duhet të përmirësohen, për të reflektuar specifikat e Autoriteteve Publike respektive.

Konferencën e përshëndeti edhe z. Bime, që e cilësoi atë të rëndësishme për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga institucionet lokale për një administratë publike të hapur dhe efikase, sidomos pas riorganizimit territorial. Zyra e Komisionerit mbajti në këtë Konferencë edhe një prezantim ku të pranishmit u njohën më në detaje me risitë e ligjit, funksionimin e institucionit dhe me disa raste praktike. Prezantimi shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve nga Autoritetet Publike, ndërsa u vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimin me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të tyre të transparencës.