3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Seanca dëgjimore për të drejtën e informimit me Qendrën BIRN Albania dhe SHISH, MEI e MTI

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” zhvilloi seanca dëgjimore me përfaqësues të disa autoriteteve publike, Shërbimit Informativ Shtetëror, ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe të ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Ato kishin si objekt të shqyrtimit të tyre ankesat e Qendrës BIRN Albania “për refuzimin e dhënies së informacionit dhe kopjen e dokumentave zyrtare”.

Ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror shqyrtimi i ankesës kishte të bënte me:

  • analizën vjetore të Sigurimit për vitet 1980-1989 dhe Shifrën e personave të ndjekur lidhur me figura të ndryshme armiqësore gjatë periudhës 1980-1989, referuar Dosjeve të kategorisë 2A.

Ndaj ministrisë së Energjisë dhe Industrisë shqyrtimi i ankesës kishte të bënte me:

  • studimi i kryer nga kompania “Sogreah” në vitin 2009;
  • kërkesa për koncesionin e pakërkuar për hidrocentralin Katundi i Ri;
  • procesverbali i konsultimit me banorët e prekur nga hidrocentrali;
  • propozimi i pakërkuar i kompanisë “HeSaLight” A/S për sistemin e ndriçimit në qytetet e Tiranës dhe Durrësit;
  • urdhërat për ngritjen e Grupeve të Punës, për shqyrtimin e kërkesës së pakërkuar;
  • procesverbalet e takimeve dhe/ose mbledhjeve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Raportet e Grupeve të Punës për vlerësimin e propozimit të pakërkuar.

Ndërsa ndaj ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës shqyrtimi i ankesës kishte të bënte me:

  • procesverbalet e bisedimeve për rishikimin e kontratës së koncesionit me kompaninë “Tirana International Airport” për heqjen e eksluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare;
  • një arsyetim mbi shkaqet dhe logjikën e marrjes së vendimit për pranimin e marrëveshjes për shtyrjen e afatit të koncesionit me 2 vjet në këmbim të heqjes së klauzolës së ekskluzivitetit;
  • procesverbalet e takimeve me kompanitë e huaja të interesuara për aeroportin e Kukësit, përfshirë letërkëmbimet mes ministrisë dhe të interesuarve;
  • një shpjegim për arsyet se pse nuk është marrë parasysh vendimi i Autoritetit të Konkurrencës Nr. 391, datë 24.12.2015;
  • një kopje të shkresës Nr. 469 prot., datë 14.12.2015, të ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për Autoritetin e Konkurrencës.

Në këto seanca dëgjimore palët dhanë shpjegimet e tyre në lidhje me çështjet konkrete në shqyrtim. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z.Besnik Dervishi, në përputhje me procedurën e shqyrtimit të ankesave do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.