Takim në Universitetin “Eqerem Çabej” dhe në shkollat e mesme të përgjithshme të Gjirokastrës

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një takim informues me studentë dhe stafin akademik të Univeristetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës.

Ata u informuan me aspektet ligjore të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë, me raste praktike në vendin tonë dhe me  rolin e Autoritetetit në procesin e trajtimit të ankesave të qytetarëve. Në takim u prezantuan edhe risitë e ligjit “Për të drejtën e informimit”, hartimin dhe publikimin e programeve të transparencës nga autoritetet publike, rolin e koordinatorit gjatë trajtimit të kërkesave të qytetarëve, kompetencën e Zyrës së Komisionerit në rastet e ankesave, si dhe me portalin pyetshtetin.al.

Stafi i Zyrës së Komisionerit zhvilloi takime edhe me nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme të përgjithshme të qytetit të Gjirokastrës, “Asim Zeneli” dhe “Siri Shapllo”. Bashkëbisedimi me ta ishte pjesë e fushatës ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”, zhvilluar më herët në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan. Gjimnazistët u informuan me aspekte të ndryshme të përdorimit të sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale, u trajtuan raste konkrete të keqpërdorimit të të dhënave personale nga vetë të rinjtë, ndërsa u njohën edhe me mjete e mënyra për të shmangur shkeljen e privatësisë.