3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Unifikimi i praktikave për mbrojtjen e të dhënave personale nga organet e vetëqeverisjes vendore

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerëson si mjaft të rëndësishme për organet e vetëqeverisjes vendore respektimin dhe përmbushjen e dispozitave ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. 61 bashkitë e reja të vendit, të krijuara pas ndarjes së re administrativo-territoriale, në kuptim të ligjit nr. 9887, datë 10/03/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, konsiderohen “kontrollues”.

Për këtë qëllim, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ka nxjerr Rekomandimin nr. 11, i cili unifikon praktikat në plotësimin e disa detyrimeve ligjore. Natyra e problematikave të tyre është konstatuar gjatë kryerjes së hetimeve administrative apo ankesave të qytetarëve të trajtuara nga Zyra e Komisionerit gjatë kohëve të fundit.

Ndër detyrimet ligjore më kryesore që duhet të përmbushin bashkitë është ai i sanksionuar në nenin 18 të ligjit, “detyrimi për informim”, ku pjesë e tij është publikimi në faqen e tyre në internet të rubrikës së posaçme “politikat e privatësisë”. Në të duhet të prezantohen qartë për qytetarët të drejtat e tyre gjatë përpunimit të të dhënave personale, qëllimin, afatin, mënyrat dhe masat e sigurisë së këtij procesi. Njëkohësisht, njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me nenet 21 dhe 22 të ligjit, kanë detyrimin të plotësojnë “formularin e njoftimit”, instrument i cili në mënyrë të përmbledhur qartëson natyrën e grumbullimit, përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave personale.

Këto institucione, në zbatim të nenit 27 të ligjit, janë të detyruara të hartojë një rregullore të brendshme mbi sigurinë e mbrojtjes së të dhënave, ku të parashikohen tërësia e masave tekniko-organizative për këtë qëllim dhe përgjegjësia konkrete në rast të shkeljes së saj. Po ashtu, bashkitë, në përputhje me nenet 5 dhe 6 të ligjit dhe Udhëzimin e Komisionerit nr. 39 “Për përpunimin e të dhënave personale në regjistrat publikë”, duhet të respektojnë kushtet dhe kriteret në rastet e administrimit dhe publikimit të listave të përfituesve të ndihmës ekonomike, pagesat për personat me aftësi të kufizura, bursat e nxënësve, apo shërbimeve të tjera që u ofrohen qytetarëve.

Bashkëngjitur do të gjeni Rekomandimin Nr. 11, datë 06/06/2016 të Komisionerit.