3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Programi i Formimit Vazhdues, seminari i 2-të trajnues në Shkollën e Magjistraturës

Shkolla e Magjistraturës, në kuadër të Programit të Formimit Vazhdues, zhvilloi seminarin e dytë trajnues me temë “Mbrojtja e të dhënave personale në sistemin gjyqësor”, në të cilin ishte i ftuar si lektor Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.

Aktiviteti 2-ditor u bashkëdrejtua nga znj. Eralda Methasani Çani, zëvendësministër i Integrimit Evropian dhe nga znj. Rezarta Mataj, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Në këtë seminar morën pjesë gjyqtarë nga gjykatat e të gjitha niveleve.

Z. Dervishi trajtoi disa aspekte ligjore, problematika e raste konkrete të konstatuara gjatë trajtimit të ankesave të qytetarëve dhe nga procesi i kryerjes së hetimeve administrative nga Zyra e Komisionerit. Të pranishmit u njohën me të drejtat e subjektit të të dhënave personale (qytetarit) dhe ligjshmërinë e përpunimit të këtyre të dhënave nga kontrollues publikë apo privatë; risitë në procesin e hetimit administrativ në këndvështrimin e Kodit të Procedurës Administrative, pas hyrjes së tij në fuqi në muajin maj 2016. Vëmendje në këtë seminar iu kushtua, gjithashtu, mbrojtjes së të dhënave personale në sistemin gjyqësor, veçanërisht, anonimizimit të tyre; praktikave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; si edhe risitë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Bashkimin Evropian, që reformon dhe zgjeron shumë fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.