Takimi i 33-të i Komitetit Konsultativ T-PD

U zhvillua në selinë e Këshillit të Evropës në Strazburg të Francës takimi i 33-të plenar i Komitetit Konsultativ (T-PD) i Konventës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” (Konventa 108 e KiE).

Në agjendën e kësaj mbledhjeje u përfshinë një sërë çështjesh për diskutim, më e rëndësishmja prej të cilave ishte modernizimi i Konventës 108 të KiE. Ky dokument është miratuar në 28 janar 1981. Të pranishmit në këtë takim shqyrtuan propozimet e reja të përfshira në raportin e mbledhjes së muajit qershor të Komitetit ad-hoc CAHDATA. Përmirësimi i Konventës 108 është një proces nën dritën e zhvillimeve dinamike ekonomike e teknologjike të viteve të fundit, jo vetëm në kontinentin evropian. Ndërsa, hyrja në fuqi në fund të muajit maj e Rregullores së re të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të BE, ka zgjeruar ndjeshëm trajtimin ligjor në këtë fushë.

Një tjetër çështje e rëndësishme në diskutim ishte edhe “Draft opinioni mbi ndikimin tek mbrojtja e të dhënave e përpunimit të “Dosjes së Emrit të Pasagjerit (PNR)”. Ndryshimet e propozuara prekin të gjithë spektrin e transportit të pasagjerëve, atë ajror, rrugor, hekurudhor dhe detar. Përmirësimet synojnë të adresojnë, sidomos, problematikën e konstatuar në parandalimin, zbulimin, hetimin dhe gjykimin penal të akteve terroriste apo krimeve të tjera të rënda. Këto ndryshime forcojnë garancitë për individët dhe instrumentat për agjencitë ligjzbatuese për mbrojtjen më të plotë dhe përdorimin e sigurt të të dhënave personale.

Të pranishmit në këtë mbledhje shqyrtuan edhe ndryshimet e propozuara për dokumanta të tjerë të KiE, si “Të dhënat masive” (Big Data), “Mbrojtja e të dhënave mjekësore”, “Mbrojtjen e të dhënave personale dhe organet e rendit”, “Shkëmbimi automatik i të dhënave”, “Mbrojtja e të dhënave dhe mbulimi mediatik”, etj.

Znj. Alessandra Pierucci, përfaqësuese e Autoritetit italian (Garante per la protezione dei dati personali), u zgjodh në këtë mbledhje në postin e Presidentit të Komitetit Konsultativ T-PD.

Aktet e mësipërme do t’i konsultoni në këtë lidhje: http://www.coe.int/t/dghl/standardsetting/dataprotection/TPD_documents/OJ_T-PD33(2016)_En.asp