3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Kukës

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në Kukës konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Ky aktivitet zhvillohet pas takimeve të mbajtura më herët në Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Shkodër. Konferenca kishte për qëllim të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e strukturave të pushtetit vendor, si dhe ato të institucioneve qendrore në nivel vendor, me detyrimet e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Në këtë Konferencë morën pjesë përfaqësues nga Prefektura e Qarkut, nga Bashkia e Kukësit dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes vendore të këtij qarku; drejtues të organeve të drejtësisë – Gjykata e Prokuroria, përfaqësues të Policisë së Shtetit; drejtues të institucioneve qendore në nivel vendor, nga shoqëria civile, media, etj.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij e vuri theksin në rëndësinë e nxitjes së kulturës së transparencës nga Autoritetet Publike, si domosdoshmëri për një administratë moderne, të përgjegjshme dhe efikase. Komisioneri, vlerësoi, se që nga hyrja në fuqi e ligjit 2 vjet më parë, institucioni ka reflektuar dhe zbatuar në punën e tij praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane. Ndërsa, është trajtuar një gamë e gjerë, për nga problematika, e ankesave të qytetarëve, shumica prej të cilave janë zgjidhur me ndërmjetësimin e Zyrës së Komisionerit. Z. Dervishi tha, se ka ardhur koha që programet e transparencës të përmirësohen, për të reflektuar specifikat e Autoriteteve Publike. Nga ana tjetër, institucionet duhet të forcojnë rolin e koordinatorit për të drejtën e informimit.

Zyra e Komisionerit mbajti një prezantim, ku të pranishmit u njohën më në detaje me risitë e ligjit dhe njëkohësisht, u njohën me disa raste praktike. Prezantimi shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve. U vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimi me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të transparencës nga Autoritetet Publike.