3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Marrëveshje bashkëpunimi mes Zyrës së Komisionerit dhe Universitetit të Tiranës

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj marrëveshje është themelimi i Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi”. Funksionimi i saj ka për qëllim, që njohuritë dhe problematikat në fushat e privatësisë dhe të drejtës për informim, t’i trajtojë në mënyrë më të thelluar. Shkolla synon përgatitjen dhe njohjen e vazhdueshme, sidomos, të studentëve me risitë në këto dy drejtime. Si pjesë e aktiviteteve për kremtimin e Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, në muajin janar të vitit të ardhshëm do të zhvillohet për herë të parë edhe programi i kësaj shkolle.

Zbatimi i standardeve më të larta për mbrojtjen e privatësisë, kombinuar me praktikat më bashkëkohore të të drejtës për informim, janë elementë të rëndësishëm të konsolidimit të demokracisë sonë. Rritja e transparencës është pjesë e pandarë e reformave që janë ndërmarrë dhe që synojnë modernizimin e institucioneve publike shqiptare. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ne kontribuojmë në edukimin shoqëror për respektimin e këtyre të drejtave” – tha z. Dervishi në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes. Komisioneri, njëkohësisht, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Autoritetit dhe Universitetit të Tiranës.

Z. Koni, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të garantuar zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje, duke nisur që me Shkollën Dimërore “Informim dhe Privatësi”. Rektori, gjithashtu, theksoi se kjo marrëveshje ndihmon në mirëfunksionimin e Universitetit të Tiranës, për të qënë sa më transparent në punën mësimore dhe atë kërkimore-shkencore.

Marrëveshja, ndër të tjera, parashikon aplikimin dhe zbatimin në praktikë të projekteve të përbashkëta. Dokumenti angazhon palët në shfrytëzimin e të gjitha mundësive për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve në ushtrimin e të drejtave të tyre. Gjithashtu, kjo marrëveshje synon që përmes mekanizmave institucionalë të adresojë nevojën e përmirësimeve në legjislacion në të dyja fushat.

Marrëveshja mes KDIMDP dhe UT