28 Janari, Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale Prezantohet aplikacioni “Privacy App”

Sot më 28 Janar, në Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale u prezantua aplikacioni “Privacy App”, që mundëson realizimin e ankesës drejtpërdrejtë nga telefoni pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Për realizimin e tij u bashkëpunua me Institutin “Harry Fultz”, duke organizuar një konkurs me nxënës të viteve të treta dhe të katërta të këtij institucioni arsimor. Ceremonia e lançimit të aplikacionit mbylli dhe serinë e aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Në këtë projekt u angazhuan 8 nxënës, të ndarë në 3 grupe, të cilët kanë punuar intensivisht për realizimin e disa modeleve që prej muajit dhjetor 2016. Prezantimi i tyre u zhvillua në mjediset e “Innovation Hub” në Godinën e Inovacionit. Juria përzgjodhi si fitues të konkursit modelin e aplikacionit të punuar nga grupi i nxënësve Damian Ndoja, Arbest Skënderaj, Merin Begeja dhe Landi Gjoka. Aplikacioni do të jetë i disponueshëm për t’u shkarkuar si në app store ashtu edhe në play store.

Në fjalën e tij përshëndetëse Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi angazhimin serioz të nxënësve në zhvillimin e një aplikacioni funksional dhe komod në përdorim, për çdo shkelje apo keqpërdorim të të dhënave personale të konstatuara. Kjo rrugë alternative, në adresimin e ankesës në kohë reale pranë Zyrës së Komisionerit, mundëson një komunikim të shpejtë dhe efikas për qytetarët. Nëpërmjet kësaj risie teknologjike ata nxiten në ushtrimin integral të të drejtave të tyre dhe njëkohësisht, aplikacioni është një instrument konkret për të rritur ndërgjegjësimin e individit dhe shoqërisë për mbrojtjet e privatësisë.

Në këtë aktivitet e pranishme ishte znj. Nora Malaj, zv/ministër i Arsimit dhe Sportit dhe përfaqësues të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe përfaqësue të partnerëve mbështetës të këtij projekti, Raiffeisen Bank dhe ALBtelecom.