Komisioneri prezanton Raportin Vjetor 2016 në Kuvend

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, paraqiti Raportin Vjetor 2016 në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij përpara anëtarëve të Komisionit, z. Dervishi, theksoi se “veprimtaria e Zyrës së Komisionerit ka qënë më e qartë dhe e konsoliduar, në zbatim të rezolutës të Kuvendit të Shqipërisë, Progres Raportit të Bashkimit Evropian, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe trajnimeve të vazhdueshme. Në këtë këndvështrim, është punuar me prioritete dhe tregues të matshëm. Autoriteti, në përputhje me prioritetet e punës, ka forcuar garancitë për zbatimin e të drejtave themelore të qytetarëve, të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në raport me një vit më parë janë rritur ndjeshëm hetimet administrative në të dy këto fusha, në më shumë sektorë dhe me shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e vendit, duke shtuar edhe numrin e vendimeve e sanksioneve në zbatim të legjislacionit në fuqi. Janë monitoruar në mënyrë më sistematike detyrimet e Autoriteteve Publike për programet e transparencës dhe përditësimin e regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve. Njëkohësisht, janë rritur aktivitetet ndërgjegjësuese me qëllim edukimin ligjor të qytetarëve për ushtrimin në praktikë të të drejtës për informim.

Në fushën e mbrojtjes së të dhënave fokusi gjatë vitit 2016 ka qënë rritja e inspektimeve me plan tematik, kryesisht, në sektorë ku përpunohen të dhënat sensitive. Rezultat i kësaj veprimtarie janë Rekomandimet unifikuese që do të standardizojnë akoma më mirë procesin e përpunimit të të dhënave personale. Po ashtu, ka nisur procedura për certifikimin e Shqipërisë nga BE si vend me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale. Ndërsa, miratimi i Rregullores së re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave hap perspektivën për përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë komunitar, si pjesë e procesit të integrimit të vendit.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan pozitivisht punën e Zyrës së Komisionerit për vitin 2016 dhe votuan projekt-rezolutën që së shpejti do t’i kalojë për miratim seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Raporti Vjetor 2016