3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Kuvendi miraton Rezolutën për vlerësimin e punës të Zyrës së Komisionerit për vitin 2016

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të datës 2 mars 2017, miratoi Rezolutën “Për vlerësimin e punës të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2016”. Në këtë dokument identifikohen arritjet në veprimtarinë e Autoritetit për mbikëqyrjen e kuadrit rregullator, që garanton të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Është rritur puna ndërgjegjësuese e parandaluese e Zyrës së Komisionerit, ndërsa theksohet roli aktiv i saj në marrëdhëniet ndërinstitucionale për rëndësinë që ka transparenca dhe privatësia në kohët e sotme. Gjatë vitit 2016 Zyra e Komisionerit rriti ndjeshëm hetimet administrative në fushat ku ajo ushtron kompetencat e saj dhe si rezultat, është shtuar edhe numri i vendimeve e sanksioneve në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Zyra e Komisionerit ka monitoruar sistematikish detyrimet e Autoriteteve Publike për hartimin, plotësimin dhe përditësismin e programit të transparencës dhe të regjistrit të kërkesave e përgjigjeve. Në fushën e mbrojtjes së të dhënave, fokusi gjatë vitit të shkuar, ka qënë rritja e inspektimeve me plan tematik, kryesisht, në sektorë ku përpunohen të dhëna sensitive. Rezultat i kësaj veprimtarie janë Rekomandimet unifikuese, që standardizojnë tërësisht procesin e përpunimit të të dhënave personale. Njëkohësisht, ka nisur puna për procesin e certifikimit të Shqipërisë nga BE si vend me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale.

Për vitin 2017, Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Zyrës së Komisionerit të thellojë monitorimin dhe mbikëqyrjen e legjislacionit në fuqi, duke shtuar kontrollet dhe hetimet administrative si në fushën e të drejtës për informim ashtu edhe në atë të mbrojtjes së të dhënave personale. Ndërgjegjësimi është një drejtim i rëndësishëm i punës së Autoritetit me fokus të posaçëm brezin e ri, për mbrojtjen e privatësisë në ambientin digjital. Gjatë 2017 synohet të ngrihet edhe Regjistri Kombëtar i Kërkesave, si një instrument për forcimin e transparencës së Autoriteteve Publike. Gjithashtu, Zyra e Komisionerit do të jetë aktive në dhënien e ekspertizës për përmirësime në kuadrin rregullator, në përputhje me Rregulloren e re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Bashkimit Evropian.

Rezoluta e Kuvendit