Konferenca III Kombëtare e të Drejtës për Informim, Koordinatori dhe Shoqëria Civile

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë “Konferencën III Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Koordinatori dhe Shoqëria Civile”. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore, atyre të qeverisjes vendore, të sistemit të drejtësisë, organizatave jo fitimprurëse dhe medias nga i gjithë vendi, ky aktivitet vlerësoi procesin e zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit” nga Autoritetet Publike, që prej miratimit të tij në shtator 2014.

Në këtë Konferencë u prezantuan dy dokumenta të rëndësishme për mirëfunksionimin e Autoriteteve Publike në punën për respektimin e të drejtës për akses në dokumentat zyrtare. “Udhëzuesi për Koordinatorin e të drejtës për informim”, është manuali për nëpunësit e ngarkuar me administrimin e procesit të dhënies së informacionit për qytetarët dhe është hartuar me mbështetjen e SIGMA/OECD. Dokumenti i dytë është “Instrumenti i Vetëvlerësimit të Autoritetit Publik”, që përcakton hapat e përmbushjes së detyrimeve, në raport me dispozitat e ligjit “Për të drejtën e informimit”, të çdo institucioni të administratës publike.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, në përshëndetjen e tij për të pranishmit tha se “ligji “Për të drejtën e informimit” ka krijuar një standard real dhe të prekshëm çdo ditë nga qytetarët. Ka arritje për të cilat duhet të ndjehemi mirë, më kryesorja prej të cilave, është puna për të ndryshuar mentalitetin dhe kulturën e administratës sonë publike. Çdo gjë që është zyrtare nuk është publike, në fakt është e kundërta, çdo gjë që është zyrtare është publike!” Nga ana tjetër, z. Dervishi theksoi se “Shqipëria renditet e 6-ta në botë për kuadrin ligjor për të drejtën e informimit, nga vendi i 85-të që kishte më parë. Ky është pozicionimi më i lartë i arritur ndonjë herë nga vendi ynë. Qëllimi i këtij ligji është i dyfishtë: të garantojë të drejtën e informimit – aksesin në dokumentat zyrtare, si dhe llogaridhënien mbi aktivitetin e administratës publike”.

Punimet e Konferencës i përshëndetën të ftuarit e nderit z. Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE në Shqipëri, i cili në fjalën e tij tha se “zbatimi i ligjit “Për të drejtën e informimit” është me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe si i tillë, ai përbën një instrument për shoqërinë civile për të nxitur transparencën”. Nga ana e saj, znj. Valentina Leskaj, Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, theksoi “mbështetjen që i është ofruar Zyrës së Komisionerit nga parlamenti dhe vlerësoi se transparenca është kyçe për një demokraci funksionale”. Ndërsa, znj. Milena Harito, Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike tha se “roli i të gjithë aktorëve të shoqërisë është i rëndësishëm, por qeveria ka një rol të veçantë për ndërtimin e instrumentave të transparencës dhe të informimit”.

Nëpërmjet një materiali video, të pranishmit u njohën me veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit. Më shumë se 680 ankesa u trajtuan vetëm gjatë vitit 2016, ndërsa janë monitoruar rregullisht Autoritetet Publike për përmbushjen e plotë të detyrimeve në hartimin e programit të transparencës, emërimin e koordinatorit dhe mbajtjen e regjistrit të kërkesave e përgjigjeve. Stafi i Zyrës së Komisionerit ka zhvilluar aktivitete trajnuese kombëtare e rajonale me përfaqësues të institucioneve të administratës publike, veprimtari në universitete, ndërgjegjësuese, etj.

Në këtë konferencë një seancë e posaçme iu kushtua diskutimit mes përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe koordinatorëve për problematikat e ndeshura gjatë zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Të pranishmit shkëmbyen mendime, ide dhe opinione për përmirësimin e procesit të dhënies së informacionit zyrtar, i cili ndikon drejtpërdrejt në rritjen e llogaridhënies dhe transparencën e administratës publike shqiptare.

Fjala përshëndetëse e z. Besnik Dervishi

Video prezantuese e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit

Prezantimi “Udhëzuesi për Koordinatorin e të drejtës për informim”

Prezantimi “Instrumenti i Vetëvlerësimit të Autoritetit Publik”