3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

ZYRA E KOMISIONERIT MIKPRITËSE E KONFERENCËS EVROPIANE TË AUTORITETEVE TË MBROJTJES SË TË DHËNAVE NË VITIN 2018

Zyra Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të organizojë në pranverë të vitit 2018 edicionin e rradhës të Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave. Ky është forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm në këtë fushë në kontinentin tonë e ku janë të përfaqësuara Autoritete kombëtare dhe Organizata, mes këtyre të fundit Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Organizimi i këtij eventi për herë të parë në vendin tonë është shprehje e vlerësimit të aktivitetit dhe punës të Zyrës së Komisionerit në arenën ndërkombëtare, me qëllim ndërtimin dhe forcimin e rrugëve të bashkëpunimit në mbrojtje të privatësisë së individit. Në këtë forum diskutohen e promovohen praktikat dhe eksperiencat më të mira, për krijimin e standardeve më të larta në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me të dhënat personale.

Vendi organizator i Konferencës pasardhëse bëhet automatikisht anëtar i Komitetit të Akreditimit të saj, së bashku me Hungarinë – organizatore e Konferencës në 2016 dhe Qipron – në këtë vend zhvillohet në fund të muajit prill 2017 edicioni i sivjetshëm. Zyra e Komisionerit do të mbajë një prezantim të detajuar për programin dhe modalitetet e zhvillimit të Konferencës në vitin 2018.

Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave është zhvilluar për herë të parë në Hagë të Holandës në vitin 1991. Pjesëmarrësit e këtij edicioni hodhën themelet e një diskutimi gjithëpërfshirës për forcimin e kuadrit ligjor evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Në më shumë se dy dekada, është rritur mjaft numri i Autoriteteve anëtare në Konferencë, aktualisht numërohen 62 të akredituara me të drejta të plota dhe 6 me statusin e vëzhguesit. Zyra e Komisionerit është anëtarësuar në këtë forum në vitin 2010.