3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Mbrojtja e të dhënave personale, statistikat e 6-mujorit të parë 2017

Zyra e Komisionerit për periudhën janar-qershor 2017 ka trajtuar 90 ankesa të qytetarëve dhe ka zhvilluar 88 kontrolle në terren (me iniciativën e Zyrës së Komisionerit, ose mbi bazë ankese). Respektimi i të drejtës themelore të njeriut për një jetë private është detyrim për të gjithë kontrolluesit publik ose privat, për një shoqëri të zhvilluar në të gjithë sektorët e saj.

Hetimi administrativ është ushtruar në të gjithë vendin, në sektorë me ndjeshmëri të lartë në përpunimin e të dhënave personale, si: në qendrat e kujdesit social ku trajtohen të miturit, të moshuarit, viktimat e dhunës dhe trafikut të qenieve njerëzore, etj.; në institucione publike e private të arsimit të lartë; në sektorin bankar; në sektorin e agjencive turistike dhe në atë call center. Veprimtaria mbikëqyrëse ka patur si objektiv kontrollin e zbatimit të masave tekniko-organizative për njoftimin e subjektit (individit) për qëllimin, llojin dhe mënyrën e përpunimit dhe të arkivimit/fshirjes së të dhënave personale.

Një vëmendje e posaçme i është kushtuar të dhënave sensitive (shëndetësore), kryesisht të të miturve që trajtohen në shtëpitë e fëmijës apo dhe viktimave të dhunës e trafikut të qenieve njerëzore. Gjithashtu, me prioritet është trajtuar edhe inspektimi për “Projektin e identifikimit dhe popullimit të adresës për çdo shtetas”, gjatë të cilit u konstatuan disa mangësi në zbatimin e tij në terren. Zyra e Komisionerit vlerëson gatishmërinë e kontrolluesve për të bashkëpunuar dhe për të përmbushur detyrimet ligjore në këtë fushë.

Nga gjetjet e konstatuara, Autoriteti ka ushtruar kompetencat e tij në dhënien e 23 Rekomandimeve, ka dalë me Urdhër në një rast dhe ka marrë 19 Vendime administrative – gjobë. Vendimmarrjen e  Zyrës së Komisionerit mund ta konsultoni në adresën tonë zyrtare www.tiranaticked.online menunë “Mbrojtja e të dhënave personale/Hetimi Administrativ – Rekomandime – Urdhëra – Vendime”.