Aktivitete të Zyrës së Komisionerit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi tre seanca dëgjimore në përmbushje të dispozitave të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të miratuara nga Komisioneri. Këto seanca kishin për objekt shqyrtimin e zbatimit të detyrimeve të “kontrolluesve” në sektorit publik e privat. Në seancën e parë dëgjimore ishin të përfaqësuara 14  Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Ndërsa në dy të tjerat, ishin të pranishme 2 kompani që e ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar në sektorin e pagesave online dhe atë të arkivimit të dokumentacionit.

***

Zyra e Komisionerit zhvilloi një takim me z. Ulrich Kühn, përfaqësues i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe të Drejtës për Informim të Hamburgut në Gjermani.

Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit informuan mbi kuadrin ligjor në Shqipëri në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale edhe atë të të drejtës për informim, për kompetencat dhe aktivitetin në tërësi të Autoritetit. Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit Anti-korrupsion mes Qeverisë shqiptare dhe BE, për rritjen e transparencës së Autoriteteve Publike ekspertë gjermanë do të asistojnë Zyrën e Komisionerit në hartimin e Strategjisë institucionale 2017-2020. Njëkohësisht, u diskutua edhe për shkëmbimin e eksperiencës në masat e marra për  zbatimin në praktikë, duke nisur nga maji 2018, të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian.

***

Në Zyrën e Komisionerit u zhvillua një takim me ekspertë të Departamentit të Komunikimit të Qeverisë Britanike, të cilët zhvilluan një vizitë studimore në Shqipëri. Në qendër të diskutimit ishin çështje që kanë të bëjnë në tërësi me transparencën e institucioneve dhe me kompetencat ligjore të Autoritetit në këtë proces.