Opinioni publik ka pritshmëri të lartë për Reformën në Drejtësi dhe në veçanti, për zbatimin e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Në një shkrim-analizë në portalin reporter.al, që publikohet nga BIRN-Albania (Balkan Investigative Reporting Network), z. Besnik Dervishi, i pyetur se cili është roli i Zyrës së Komisionerit në procesin e vetting-ut, deklaroi se organet e ngritura për këtë qëllim si Autoritete Publike duhet të përmbushin të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
“Institucionet e vetting-ut kanë detyrimin që të hartojnë programin e transparencës, pra të japin informacionin pa kërkesë, t’u përgjigjen çdo kërkese të qytetarit për informacionin që kërkon, natyrisht duhet të ngrenë si të gjithë autoritetet e tjera publike regjistrin e kërkesave dhe të përgjigjeve” tha z. Dervishi. Ndërsa, i pyetur për pozicionin e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces, ai deklaroi se “paçka statusit të veçantë që gëzon veprimtaria e ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit), ajo duhet t’i nënshtrohet transparencës, njësoj si tre organet e tjera të vetting-ut, për shkak të interesit të lartë publik”.
Transparenca është një nga shtyllat kryesore të Reformës në Drejtësi. Zyra e Komisionerit vlerëson se përmbushja e detyrimeve ligjore nga të gjitha institucionet në zbatimin e saj do të garantojë një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur.