Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në zbatim të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” zhvilloi seancë dëgjimore për ankesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ndaj Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për “Refuzim dhënie të informacionit dhe kopje të dokumenteve zyrtare”. Kërkesa e KSHH kishte si objekt ofrimin e të dhënave për përmbushjen e detyrimeve të DSIK në raport me ligjin 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” për: “plotësimin e saktë të formularit për kontrollin e figurës; për numrin e subjekte që janë konstatuar se kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar; nëse janë konstatuar rrethana lehtësuese që janë marrë parasysh nga DSIK për kontakte të papërshtatshme; si dhe për sa subjekte për të cilat janë konstatuar kontakte të papërshtatshme, është vlerësuar nga ana e DSIK se janë të përshtatshëm apo të papërshtatshëm për të vazhduar ushtrimin e detyrës”.
Zyra e Komisionerit, gjithashtu, zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe Alpha Bank, për përmbushjen e detyrimeve të ligjit 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të miratuara nga Komisioneri.