Zyra e Komisionerit prezanton Strategjinë për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për periudhën 2018 – 2020. Kjo Strategji përshkruan objektivat tona kryesore, ndërkohë që misioni ynë vazhdon për rritjen e transparencës së autoriteteve publike, garantimin e të drejtës për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Strategjia është hartuar me kontributin e strukturave të Zyrës së Komisionerit dhe konsultimit me ekspertët e projektit të binjakëzimit kundër korrupsionit. Hartimi i kësaj strategjie u parapri nga një analizë gjithëpërfshirëse, bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe praktikave më të mira të konsoliduara gjatë eksperiencës 10-vjeçare të Zyrës së Komisionerit.
Strategjia e cila shtrihet në tre vite të zbatimit të saj, është strategjia e parë që hartohet për të drejtën e informimit, me fokus forcimin e tansparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike. Për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, strategjia vjen për të dytën herë me objektiv kryesor përshtatjen e legjislacionit tonë aktual me Rregulloren e re të BE (GDPR).
Dokumenti i Strategjisë mban parasysh se shoqëria shqiptare po evoluon dhe po përgatitet për t’u përballur me zhvillimet teknologjike dhe globalizimin në fushën e të dhënave personale apo dhe me synimet e saj për një administratë të hapur dhe me integritet.