Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, mikpriti zyrtarë të disa institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky delegacion kryesohej nga z. Bujar Sadiku, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe në përbërje të tij kishte zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit, ministria e Drejtësisë dhe ajo për Administratën Publike, nga Avokati i Popullit dhe organizata të shoqërisë civile.
Takimi kishte në fokus të tij shkëmbimin e eksperiencës dhe asistencën në kuadër të procesit të hartimit të legjislacionit të ri për të drejtën e informimit në Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst, kolegët u njohën me funksionimin e Zyrës së Komisionerit dhe risitë e ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” për nxitjen e kulturës së transparencës dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike.
Në takim u trajtuan edhe raste që kanë të bëjnë me balancën mes privatësisë dhe respektimin e të drejtës për informim, apo dhe bërjen e transparencës në funksion të reformës dhe ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Si aspekte të tjera të rëndësishme të punës së Zyrës së Komisionerit u vlerësuan edhe kontributi në Strategjinë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike, në Projektin e Binjakëzimit Anti-Korrupsion, apo edhe në nismat ndërgjegjësuese që zhvillon në vijimësi Autoriteti në të dy fushat e veprimtarisë së tij.