“Monitorimi Kombëtar 2018” për zbatimin e ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga 61 bashkitë e Shqipërisë, është raporti i hartuar nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik (INFOCIP). Nga përpunimi i të dhënave, rezulton se përmbushja e detyrimeve ligjore është në nivelin 86.2%, çka përbën një tregues mjaft pozitiv për transparencën dhe llogaridhënien e organeve të vetëqeverisjes vendore.
Zyra e Komisionerit i vlerëson maksimalisht gjetjet e “Monitorimit Kombëtar 2018” dhe do t’i mbajë në konsideratë në veprimtarinë e saj. Raporti u bë publik më 28 Shtator, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim. Ai është mbështetur në 5 kritere bazë, që përbëjnë kushtet për zbatimin e legjislacionit për të drejtën e informimit: koordinatori, programi i transparencës, regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, publikimi i vendimmarrjes dhe pasja e faqes zyrtare në internet. Në dy monitorimet e mëparshme treguesi i zbatueshmërisë ligjore ishte respektivisht: në nivelin 31% për vitin 2016 dhe 71% për 2017.
Krahasimi i shifrave flet qartë për angazhimin e Autoriteteve Publike për përmbushjen e dispozitave të ligjit 119/2014, sidomos për mbikëqyrjen efektive të tij nga Zyra e Komisionerit dhe për rolin e organizatave të shoqërisë civile në këtë proces. Bashkitë e Korçës, Shkodrës, Tiranës, Durrësit e Lezhës, por edhe ato të Gramshit, Kamzës, Krujës, Roskovecit e Skraparit janë renditur në 10 pozicionet e para. Nga ana tjetër, mbetet ende shumë punë për të bërë nga këto Autoritete Publike, në drejtim të rritjes së transparencës e llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare në qeverisje. Në raport theksohet fakti i “miratimit të Programit Model të Transparencës për organet e vetëqeverisjes vendore më 10 shtator 2018 nga Komisioneri”, si instrumenti që adreson të gjithë problematikat që edhe ky “Monitorim” konstaton. Njëkohësisht, vlerësohet edhe “kontributi i institucionit për t’i dhënë zë shqetësimeve të ngritura nga aktorët e shoqërisë civile, duke aplikuar edhe sanksione ndaj bashkive”.