Tiranë 2019, “Konferenca Ndërkombëtare” emërtohet “Asambleja Globale e Privatësisë”

Konferenca e 41-të, Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (International Conference of Data Protection and Privacy Commissioners – ICDPPC), e zhvilluar në Tiranë, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në datat 21-24 tetor 2019, shënon nisjen e një faze të re ndërveprimi për Autoritetet e mbrojtjes së të dhënave nga mbarë bota. Ndryshimi i emërtimit të organizatës nga “Konferenca Ndërkombëtare” në “Asambleja Globale e Privatësisë – GPA”, është guri i themelit të një reforme tërësore në organizimin, funksionimin dhe koordinimin e saj të brendshëm në të ardhmen. Punimet e Sesionit të Mbyllur të kësaj Konference u përshëndetën nga i ftuari i nderit, z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë punimeve të Sesionit të Mbyllur, të zhvilluar në datat 21-22 tetor, u miratuan 6 dokumente të rëndësishëm:
– Rezoluta për drejtimin strategjik të Konferencës;
– Rezoluta për promovimin e instrumenteve të rinj dhe afatgjatë dhe për përpjekjet e vazhdueshme ligjore për bashkëpunim efektiv ndërkufitar;
– Rezoluta ndërkombëtare për privatësinë si një e drejtë themelore e njeriut dhe parakusht për ushtrimin e të drejtave të tjera;
– Rezoluta për mbështetjen dhe lehtësimin e bashkëpunimit rregullator mes Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Autoriteteve të Mbrojtjes së Konsumatorit e Konkurrencës për të arritur standarde të larta të  mbrojtjes së të dhënave në ekonominë digjitale;
– Rezoluta për të adresuar rolin e gabimin njerëzor në shkeljen e të dhënave personale;
– Rezoluta për median sociale dhe përmbajtjen e dhunshme ekstremiste në internet.

Konferenca në Sesionin e Hapur u përshëndet, më 23 tetor, nga z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe më 24 tetor, nga z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Punimet e saj u karakterizuan nga fryma e ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes përfaqësuesve të Autoriteteve, botës akademike, biznesit, shoqërisë civile dhe medias. Tematikat e trajtuara përfshinë diskutimet për standarde të unifikuara në mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë; adresimin e sfidave në nivel global të modeleve të biznesit të drejtuara nga të dhënat; trajtimin praktik të mbrojtjes së të dhënave me konkurrencën si pikë takimi në rregullimin digjital; përgjegjshmërinë si një nga aspektet kryesore për standarde të larta të mbrojtjes së të dhënave; ndërsa u diskutua edhe sfidat kryesore në të ardhmen të Autoriteteve të fushës për zbatimin e mandatit të tyre në mbrojtjen e të dhënave personale.

Në këtë Konferencë morën pjesë mbi 700 delegatë dhe të ftuar. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i saj ishte zhvillimi i 25 aktiviteteve paralele (side events), më 22 dhe 24 tetor, nga rrjete rajonale/linguistike, grupe dhe forume të ndryshme ndërkombëtare, po ashtu si dhe një numër shumë i lartë takimesh pune dy dhe shumëpalëshe. Konferenca e ardhshme, e para nën emërtimin e ri, do të mbahet në Meksikë në 2020.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë