3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Njoftim për shtyp i Zyrës së Komisionerit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale po ndjek me vëmendje të shtuar respektimin, nga kontrolluesit publik dhe privat, të dispozitave të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar (në vijim, “Ligji”), si dhe akteve nënligjore të nxjerra nga Komisioneri, në kuadër të masave për administrimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

Për këtë qëllim, siç jeni në dijeni tashmë, për të orientuar respektimin dhe garantimin në mënyrë efektive të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë themelore e njeriut, Zyra e Komisionerit ka hartuar tre udhëzues në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, në kontekstin e situatës së krijuar nga gjendja e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Megjithatë, kohët e fundit, vërehet një shqetësim në rritje i subjekteve të të dhënave (qytetarët) lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave të tyre personale, si dhe për sigurinë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të tyre. Ky shqetësim konstatohet në ankesat e paraqitura nga subjektet e të dhënave pranë Zyrës së Komisionerit, si dhe në indicie, të publikuara në media të ndryshme, lidhur me pretendime për përhapje të paligjshme të të dhënave personale, veçanërisht atyre shëndetësore, të pacientëve të infektuar me COVID-19.

Zyra e Komisionerit sjell në vëmendje të të gjithë kontrolluesve faktin se të dhënat shëndetësore përbëjnë të dhëna sensitive në kuptim të nenit 7 të Ligjit dhe, për pasojë, gëzojnë një mbrojtje të veçantë si nga legjislacioni kombëtar, ashtu edhe nga e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, ftojmë dhe kërkojmë nga ana e kontrolluesve publik dhe privat t’i kushtojnë vëmendje të posaçme respektimit të detyrimeve të tyre në kuadër të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e të drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe jetës private të individëve të dhënat e të cilëve ata përpunojnë.

Kujdes, përgjegjësi dhe angazhim maksimal në lidhje me përpunimin e të dhënave personale sensitive, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kërkohet, veçanërisht, nga autoritetet shtetërore përgjegjëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe menaxhimin e situatës së krijuar prej tij.

Përsa më sipër, rikujtojmë se çdo organ i sistemit shëndetësor, qoftë në cilësinë e kontrolluesit, qoftë në cilësinë e përpunuesit të të dhënave, është i detyruar të garantojë një përpunim të ligjshëm të të dhënave personale të subjekteve të të dhënave në përputhje me parimet dhe kriteret ligjore të sanksionuara në nenet 5 dhe 6 të Ligjit, si dhe të marrë masa teknike dhe organizative për parandalimin e përhapjes së paligjshme të të dhënave personale dhe sensitive të pacientëve, në përputhje me nenet 27 dhe 28 të këtij ligji.

Zyra e Komisionerit shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen e saj për përpjekjet profesionale dhe njerëzore, si dhe angazhimin e të gjithë personelit shëndetësor për të parandaluar përshkallëzimin dhe pasojat e rënda të COVID-19. Por, nga ana tjetër, ju rikujton autoriteteve përgjegjëse në luftën kundër COVID-19 që, krahas ushtrimit të përgjegjësive për parandalimin e pasojave tragjike për jetën dhe shëndetin e pacientëve të infektuar me COVID-19, ato kanë, gjithashtu, detyrimin për të parandaluar përhapjen e paligjshme të të dhënave personale të pacientëve në fjalë, veprim i cili do të kishte pasoja të rënda për jetën private dhe dinjitetin e këtyre të fundit.

Në respekt të plotë të lirisë së shprehjes – si një tjetër liri dhe e drejte vetjake e sanksionuara në të njëjtin kre të Kushtetutës, së bashku me të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, shprehim konsideratën e Zyrës së Komisionerit për vëmendjen dhe mbulimin profesional që organet e medias, të shkruar, audiovizive, apo online, i kanë kushtuar informimit të publikut, në lidhje me zhvillimet dhe të rejat e situatës së pandemisë. Megjithatë, gjejmë rastin të ftojmë të gjithë spektrin mediatik në vend që të tregojë vetëpërmbajtje, proporcionalitet dhe etikë profesionale në shpërndarjen e informacionit që shpie dhe/ose mund të shpjerë në identifikimin konkret të pacientëve COVID-19.

Zyra e Komisionerit, në ushtrim të kompetencave të parashikuara në nenet 29, 30 dhe 31 të Ligjit, do të monitorojë në vazhdimësi dhe do të reagojë në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi ndaj çdo situate paligjshmërie. Për çdo përhapje dhe/ose publikim të paligjshëm të të dhënave personale dhe/ose sensitive, në kundërshtim me parimet, kriteret dhe detyrimet e sanksionuara në nenet 5, 6, 7, 27 dhe 28 të Ligjit, Zyra e Komisionerit, krahas urdhrave për bllokimin e veprimtarive të mëtejshme të përpunimit dhe denoncimit publik të shkelësve, do të procedojë me sanksione administrative kundër këtyre të fundit, sipas parashikimeve të nenit 39 të Ligjit.