|

Takimi i 40-të Plenar i Komitetit të Konventës 108+ të Këshillit të Evropës

Mbledhja e 40-të Plenare e Komitetit (T-PD) të Konventës për Mbrojtjen e Personave nga Përpunimi Automatik i të Dhënave Personale (Konventa 108+) të Këshillit të Evropës i zhvilloi punimet e saj virtualisht, për shkak të situatës me pandeminë globale COVID-19, në datat 18-20 nëntor 2020. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si anëtare e Komitetit T-PD, depozitoi raportin e përvitshëm të aktiviteteve në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale për periudhën 2019-2020.

Në këto 3 ditë të punimeve të Takimit, me pjesëmarrjen e mbi 150 përfaqësuesve të autoriteteve e organizatave anëtare dhe vëzhguese, u diskutua mbi dokumente e raporte të rëndësishme dhe u mbajtën disa prezantime ekspertësh. Komiteti T-PD miratoi “Udhëzuesin mbi mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve në kuadrin arsimor”. Ndërsa, u vendos për aprovimin me procedurë të shkruar në takimet e ardhshme të dokumenteve si: “Profilizimi dhe Konventa 108+, Raport mbi zhvillimet pas miratimit të Rekomandimit 13 (2010)  mbi Profilizimin”; Raporti mbi “Identitetin digjital”; si dhe Raporti mbi “Përpunimin e të dhënave personale nga dhe për fushata politike: zbatimi i Konventës 108 të modernizuar”.

Në këtë mbledhje, u paraqit dhe Raporti nga përfaqësuesi i Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA) për Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë, të organizuar nga Zyra e Komisionerit në 21-24 tetor 2019, në Tiranë. Gjithashtu, u zhvilluan edhe zgjedhjet e Byrosë së Komitetit, ku u rikonfirmua edhe për një mandat tjetër znj. Alessandra Pierucci në drejtimin e këtij forumi.

Konventa 108 është miratuar në vitin 1981, ndërsa Komiteti T-PD është përgjegjës për interpretimin e dispozitave dhe për garantimin e zbatimit të saj. Modernizimi i vitit 2018, i njohur ndryshe si Konventa 108+, është nënshkruar deri tani nga 33 shtete dhe është ratifikuar nga 9 prej tyre. Shqipëria është në procesin e ratifikimit të kësaj Konvente të rëndësishme.