3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit bashkëpunon me organizatën Roma Versitas Albania

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbështet organizatën Roma Versitas Albania, në kuadër të projektit të saj “Edukimi ligjor i studentëve rom, mediatorëve komunitar dhe të shëndetit për të lehtësuar aksesin në drejtësi për komunitetin e tyre”.

Ky bashkëpunim u fokusua në zhvillimin e trajnimit me studentë dhe pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian, për njohjen me të drejtat kushtetuese të aksesit në informacionin me karakter publik dhe atë të mbrojtjes së privatësisë e të dhënave personale. Në këtë aktivitet të pranishmit u njohën me legjislacionin në të dy fushat e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit, me funksionet dhe rolin e institucionit dhe me raste praktike të adresuar apo ku përfshihen pjesëtarë të këtij komuniteti. Lektore në këtë aktivitet ishin znj. Elona Hoxhaj – Drejtore e Drejtorisë së Vlerësimit të Ankesave në Drejtorinë e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit dhe znj. Pjerina Gaxha – Drejtore e Drejtorisë së Ankesave dhe Harmonizimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Bashkëpunimi me organizatën RVA do të shtrihet edhe në veprimtari të tjera me interes të ndërsjellët.

Zyra e Komisionerit mirëpret dhe është e gatshme të bashkëveprojë me çdo organizatë të shoqërisë civile që nxit dhe forcon zbatimin e të drejtave të qytetarëve dhe pjesëmarrjen e tyre në funksion të mirëqeverisjes.