3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Projekti i Binjakëzimit, Faza III – njohja e legjislacionit të ri nga institucionet publike

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nisi zbatimin e fazës së tretë të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE”. Qëllimi i saj është njohja me kuadrin e ri rregullator të fushës dhe ndërgjegjësimi për zbatimin e tij me përgjegjshmëri nga kontrolluesit publik dhe privat (Disseminations events).

Aktiviteti i parë trajnues u zhvillua në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA). Në të morën pjesë mbi 60 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe të pavarura. Në këtë aktivitet u trajtuan risitë e legjislacionit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale i përafruar me Regulloren e Përgjithshme (GDPR) dhe Direktivën e Policisë të BE; ndikimin që do të kenë rregullat e reja për mbrojtjen e të dhënave personale mbi institucionet e administratës publike, si dhe zgjerimi i katalogut të të drejtave “të subjektit të të dhënave personale” (qytetari).

Lektorët në këtë trajnim ishin ekspertë nga partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zbatimin e Projektit të Binjakëzimit, nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Garante per Protezione dei Dati Personali), CSI-Piemonte, Itali, instituti austriak “Për të drejtat e njeriut Ludwig Boltzmann” (BIM) dhe nga Zyra e Komisionerit.