28 Shtator – Dita e të Drejtës për Informim, transparenca proaktive e Autoriteteve Publike të sektorit shëndetësor

Transparenca proaktive e Autoriteteve Publike të sektorit shëndetësor ishte tematika e aktivitetit të organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me rastin e 28 Shtatorit – Ditës së të Drejtës për Informim.

Në takim ishin të ftuar të veçantë znj. Eugena Tomini, Zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Fico, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Shëndetit Publik, znj. Mirela Cami, Drejtor i Përgjithshëm i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, z. Skënder Brataj, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe përfaqësues e koordinatorë të të drejtës për informim nga institucione të këtij sistemi nga i gjithë vendi.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij tha se ka qenë në vëmendjen e Zyrës veprimtaria e këtyre Autoriteteve Publike gjatë situatës së pandemisë COVID-19. “Në këtë aktivitetet kemi ftuar institucionet që kanë përballuar peshën kryesore në këtë periudhë të pazakontë, me të cilat kemi bashkëpunuar ngushtësisht dhe i kemi mbështetur për të siguruar transparencën e veprimtarisë së tyre dhe zbatimin e të drejtës për informim” – theksoi Komisioneri.

Në këtë takim u trajtua zbatimi i legjislacionit për të drejtën e informimit gjatë kësaj periudhe nga Autoritetet Publike në sektorin e shëndetësisë. Programet e transparencës janë instrumenti më i rëndësishëm për transmetimin e informacionit në publik apo në grupet e interesit, ashtu si edhe trajtimi i kërkesave për informacion në afat dhe në përmbajtje, si dhe fuqizimi i rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit.