Legjislacioni i ri i mbrojtjes së të dhënave personale, zhvillohet webinar-i VIII i Projektit të Binjakëzimit me Shkollën e Magjistraturës

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi webinar-in e tetë njohës të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE” me përfaqësues nga Shkolla e Magjistraturës dhe të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Pjesëmarrësve në trajnim (dissemination event) iu prezantua legjislacioni i ri për mbrojtjen e të dhënave, i përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën “Për mbrojtjen e personave fizikë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente me qëllim parandalimin, hetimin, zbulimin, ndjekjen penale të veprave penale apo ekzekutimin e dënimeve penale dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave” (e njohur si Direktiva e Policisë). Në trajnim u sollën shembuj nga praktika e zbatimit të këtyre akteve evropiane, në raport me veprimtarinë e institucioneve të sitemit të drejtësisë, për garantimin e të drejtave të qytetarëve, ku Shkolla e Magjistraturës ka rolin e rëndësishëm të formimit të profesionistëve të ardhshëm të kësaj fushe.

Trajnimi u zhvillua nga ekspertë të partnerit të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit, CSI-Piemonte në Itali dhe të Zyrës së Komisionerit.