Njohja dhe ndërgjegjësimi për ushtrimin e të drejtave, takim me gjimnazistë

Në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u zhvillua takimi me një grup nxënësish të gjimnazeve të Tiranës, në kuadër të projektit “Act on Hate” (Vepro kundër urrejtjes) që zbatohet nga Qendra “Act for Society” (Vepro për shoqërinë).

Të rinjtë shfaqën interes për veprimtarinë e institucionit në tërësi dhe veçanërisht, për fushën e mbrojtjes së privatësisë dhe të dhënave personale në mjedisin digjital e në rrjetet sociale. Ata u njohën me historikun e autoritetit, legjislacionin, rolin dhe funksionet e tij, si dhe me një panoramë të aktiviteteve të zhvilluara ndër vite në të gjithë vendin, kryesisht, me nxënës e mësues të arsimit parauniversitar. Pjesëmarrësve iu prezantuan materiale e botime ndërgjegjësuese dhe si të përdorin informacionet që gjenden në faqen zyrtare të internetit të Zyrës e Komisionerit. Projekti “Act on Hate” ka për qëllim të kontribuojë në ndryshimin pozitiv të sjelljes së të rinjve në zonat periferike të Tiranës, si kontribut në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Njohuritë e përfituara nxënësit do t’i ndajnë me bashkëmoshatarët e tyre në shkollat respektive.