3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Transparencë në veprimtarinë e Prokurorisë

Me temë “Komunikimi efektiv me median dhe publikun, garanci për mirëfunksionimin e institucioneve të drejtësisë” u mbajt trajnimi i organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Misioni PAMECA V (Misioni i asistencës së BE për institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit).

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte e ftuar në këtë aktivitet ku i njohu të pranishmit me legjislacionin e zbatueshëm në këtë fushë dhe me funksionet e autoritetit. Vëmendje iu kushtua përditësimit të Programit të Transparencës, si një instrument i rëndësishëm në informimin e publikut dhe rolit të koordinatorit në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve. Gjithashtu, u paraqitën çështje nga praktika në raport me veprimtarinë e prokurorisë apo institucioneve të zbatimit të ligjit, si dhe u diskutua për rastet e kufizimit të të drejtës për informim.

Të pranishëm në këtë trajnim 2-ditor ishin prokurorët e ngarkuar për komunikimin me median nga të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, koordinatorët për të drejtën e informimit të këtij institucioni, si dhe përfaqësues të mediave.