Workshop me shoqatën DIHA, për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale në fushën e biznesit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), zhvilluan workshop-in “E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale në fushën e biznesit”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga subjekte/shoqëri anëtare të kësaj organizate, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fusha e sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Si dy të drejta dhe liri themelore kushtetuese, ato garantohen nga një kuadër rregullator bashkëkohor, bazuar në praktikat legjislative evropiane. Të pranishmit u njohën me rolin, funksionet dhe kompetencat e Zyrës së Komisionerit, si dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë mbikëqyrëse. E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale bazohen mbi parimet e etikës, përgjegjshmërisë, llogaridhënies, integritetit dhe transparencës. Autoritetet Publike dhe kontrolluesit publik e privat kanë detyrime rregullatore konkrete për t’i përmbushur për të lehtësuar ushtrimin në praktikë të këtyre të drejtave nga qytetarët.

Transparenca proaktive e institucioneve publike është një nga drejtimet kryesore për një administratë dinamike. Ndërsa, masat e nevojshme tekniko-organizative për përpunimin e sigurt të të dhënave personale janë edhe më të dosmodoshme në epokën digjitale ku jetojmë. Këto standarde nxisin e forcojnë besimin e qytetarëve për marrjen e shërbimeve në kohë e me cilësi.

Workshopin e bashkëdrejtoi përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit, znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit.